E Diel, 1 Nëntor 2026

“Jo kriteret ekstra për gjyqtarët, i ka Kushtetuta”

Partia Demokristiane i ka kthyer Presidentit Topi lidhur me kriteret që duhet të përmbushin gjyqtarët për në Gjykatën e Lartë. 

Në letrën që kreu i grupit demokristian, Ndue Shpani i ka kthyer kreut të shtetit, thuhet se kriteret janë të parashikuara në Kushtetutë dhe ligjin për funksionimin e Gjykatës së Lartë dhe çdo kriter shtesë cenon procesin. "Bazuar në kriteret kushtetuese dhe ligjore, PDK vlerëson se nuk është detyra dhe as e drejta e partive politike të vendosin kritere të tjera ekstra kushtetuese dhe ekstra ligjore, të cilat mund të cenojnë integritetin e procesit kushtetues, kompetencat e Presidentit dhe vetë pavarësinë e sistemit gjyqësor", thuhet në letrën e Shpanit. Sipas kreut të grupit demokristian, Kushtetuta në nenin 136 të saj, pika 1 dhe 5, përcakton kompetencën e emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, si dhe detyrimin për arsim të lartë juridik. Gjithashtu në ligjin themeltar, në nenin 143, përcaktohet edhe kriteri se "qenia gjyqtar nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër shtetërore, politike ose private". Në ligjin nr. 8588, datë 15.03.2000 "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë", neni 3, përcaktohen edhe kushtet për t`u emëruar gjyqtar i Gjykatës së Lartë. Sipas këtij neni, "gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga radhët e gjyqtarëve me vjetërsi jo më pak se 10 vjet, ose nga radhët e juristëve të shquar, që e kanë ushtruar këtë profesion jo më pak se 15 vjet". "Partia Demokristiane ka qenë një nga partitë politike aktive dhe me kontribute të njohura në hartimin e Kushtetutës së Shqipërisë më 1998. Ne e çmojmë Kushtetutën si dokumentin bazë të funksionimit të sistemit qeverisës në Shqipëri, ndaj ne besojmë se është detyrë e përgjegjësi e çdo institucioni, përfshirë partitë politike, të respektojnë me korrektësi parimin kushtetues të ndarjes dhe balancës së pushteteve", përfundon letra e Shpanit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›