E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrolli, avokatët e Bandës së Durrësit "incident" te Krimet e Rënda

TIRANE - Avokatët mbrojtës të të pandehurve si anëtarë të Bandës së Durrësit u përfshinë dje një debat të ashpër juridik me Gjykatën e 

Krimeve të Rënda, ndërsa shkak për të u bënë forcat speciale që shoqëronin të penduarin e këtij procesi Adriatik Coli. Rreth orës 09:00, Riza Ickaj, avokati mbrojtës i të pandehurit Plaurent Dervishaj refuzoi t'i nënshtrohej kontrollit në hyrje të sallës së gjyqit nga efektivet specialë të "BRISK". Avokati pretendoi se sipas ligjeve shqiptare në fuqi ka të njëjtën pozitë si prokurorët e çështjes, pra është palë në gjykim dhe nuk mund t'i nënshtrohej procedurave të tepruara të policisë. Në debat ndërhynë edhe kolegët e avokatit Ickaj, ndërsa ky nuk mori pjesë në gjykim. Sapo nisi seanca gjyqësore kolegët e Ickaj reaguan ashpër ndaj qëndrimit të policëve specialë, duke i kërkuar gjykatës mosdiskrimin e tyre pasi janë palë në gjykim dhe juridikisht ndodhen në të njëjtin nivel me përfaqësuesit e organit të akuzës. Pas kësaj gjykata u tërhoq për vendim, të cilin pritet ta shpallë seancën e ardhshme. Në këtë seancë pritet që me vendim gjyqësor të përcaktohet saktë, se cili do të jetë roli i trupave speciale në këtë institucion, ku shpeshherë ndodh të "blindohet" gjykata për shkak të shoqërimit në të "të të penduarve" apo dëshmitarëve të drejtësisë. Ndërkohë gjatë seancës së djeshme avokatët mbrojtës ripërsëritën kërkesën për t'u njohur me marrëveshjen që i pandehuri Adriatik Coli ka bërë me organin e Prokurorisë, në bazë të së cilës ka fituar statusin e "të penduarit" në këtë proces. Duke vazhduar pretendimin e tyre mbrojtësit pohuan se edhe dëshmitë e Colit, të cilat konsiderohen si provë decizive nga Prokuroria janë të paligjshme dhe për më tepër të pavërteta. "Dëshmitë e Adriatik Colit nuk janë gjë tjetër veçse trillime", thanë avokatët duke pretenduar se gjatë gjykimit ato do të shqyrtoheshin dhe rrëzoheshin nga gjykata. Në fund mbrojtësit reaguan edhe ndaj deklaratave publike të politikanëve kundër të akuzuarve. Sipas avokatëve, gjykatës do t'i duhet t'i sjellë në seancë politikanët, të cilët duhet të dëshmojnë ato çfarë dinë në ngarkim të të akuzuarve. "Është detyrim ligjor, për secilin qytetar që të tregojë në gjykatë ato të cilat ai di në lidhje me krime të ndryshme", përfunduan avokatët.   fa.ma

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›