E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga djalit të oficeres Eleonora Rama

Personazhet që akuzohen se janë bërë shkak për një serial të përgjakshëm vrasjesh që filloi në Barcelonë të Spanjës, vazhdoi në Vlorë dhe përfundoi në Tiranë, kanë rënë së fundi në prangat e policisë. 

Dashamir Biçaku

Sokol Rama, djali i oficeres së vrarë në Vlorë është arrestuar tri ditë më parë në Itali pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje. Në Spanjë është arrestuar ndërkaq, më 25 qershor, Enton Kabashi i akuzuar për pjesëmarrje dhe bashkëpunim në një atentat të ndodhur në Barcelonë ku akuzohet se ka marrë pjesë edhe Sokol Rama. Arrestimi i të kërkuarve në Spanjë dhe Itali është konfirmuar dje nga burimet zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në Tiranë. Sokol Rama i arrestuar edhe më parë nga policia spanjolle por i liruar pasi dosja e tij nuk mbërriti në Spanjë dhe Enton Kabashi, akuzohen se në bashkëpunim me dy persona të tjerë, Elis Haxhiraj dhe Vasil Birçaj, kanë vrarë me armë zjarri emigrantët Slejdi (Ervin) Zanaj dhe Niko (Elidon) Delaj. Vrasja e dy vlonjatëve në Barcelonë ka ndodhur më 26 shtator të vitit 2006, kur Kabashi, Rama, Haxhiraj e Birçaj, iu kanë zënë pritë dy viktimave duke i qëlluar me breshëri armësh. Katër ditë më parë, në bazë të vendimit të urdhrit të arrestit nga Gjykata e Vlorës, Sokol Rama është arrestuar në Itali. Dy ditë më parë për të njëjtën histori është arrestuar në Barcelonë edhe i dyshuari tjetër për atentatin e 26 shtatorit 2006, Enton Kabashi. Verifikimi i gjurmëve të gishtave, fotografive dhe elementëve të tjerë ka bindur policinë mbi fajësinë e dy të arrestuarve. Sipas policisë, të dy personat e arrestuar janë kapur me dokumente false të cilat i përdornin për t`iu shmangur arrestimit.
Vrasja në Barcelonë
Katër personat e akuzuar për vrasjen e Slejdi (Ervin) Zanajt dhe Niko (Elidon) Delajt, dyshohet se kanë pasur një përplasje për kontrollin e territoreve të tregjeve të drogës dhe të prostitucionit me viktimat e atentatit. Mosmarrëveshjet mes palëve kanë çuar deri në vrasjen e dy shqiptarëve nga bashkatdhetarët e tyre. Pas kësaj ngjarjeje të ndodhur në kryeqytetin e Spanjës, policia vendase filloi hetimet por Sokol Rama dhe i arrestuari tjetër Enton Kabashi, arritën t'i shpëtojnë arrestimit. Dy muaj më vonë në qytetin e Vlorës, më 11 nëntor mbeti e vrarë nëna e Sokol Ramës, Eleonora Rama, oficere e Distriktit Detar. Si autor të krimit policia e Vlorës arrestoi vëllain e Slejdi (Ervin) Zanajt, i cili ishte vrarë në Barcelonë në shtator të vitit 2006. Ai u dënua nga Gjykata e Vlorës me gjykim të shkurtuar dhe u dënua me 1/3 e dënimit dhe gjykim të shkurtuar. Hakmarrja e Sokol Ramës për nënën e tij, vijoi në muajin mars të vitit të kaluar. Sipas policisë, ai dyshohet se ekzekutoi në qendër të Vlorës të afërm të familjes Zanaj. Për këto ngjarje Sokol Rama, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli.
Arrestimet
Sokol Rama u arrestua në muajin mars të vitit të kaluar, nga policia spanjolle në Barcelonë, i dyshuar për vrasjen e Slejdi Zanajt dhe Niko Delajt. Arrestimin e tij e kishte kërkuar policia shqiptare nëpërmjet një urdhërarresti ndërkombëtar të nxjerrë për Sokol Ramën dhe tre bashkëpunëtorët e tjerë në atentatin e Barcelonës. Në shtëpinë e Sokol Ramës në Barcelonë, policia vendase gjeti edhe një pasaportë false me foton e tij, si dhe një sërë dokumentesh false të tjera që përdoreshin për të fshehur identitetin nga i kërkuari. Ai u la i lirë pak kohë pas arrestimit pasi dosja nga Shqipëria nuk mbërriti në Spanjë. Me mente false, sipas burimeve të policisë dyshohet se Sokol Rama ka lëvizur në drejtim të Shqipërisë, përpara se të ndodhnin dy vrasje në Vlorë që kishin si qëllim hakmarrjen për vrasjen e nënës së tij.

datat

26 shtator 2006
Sokol Rama, Elis Haxhiraj, Vasil Birçaj dhe Enton Kabashi, dyshohet se kanë vrarë për larje hesapesh, Ervin Zanajn dhe Niko Delajn. Krimi ndodhi në Barcelonë, ku shqiptarët ishin rezidentë

11 nëntor 2006
Armand Zanaj, vëllai i një prej viktimave të atentatit në Barcelonë, qëllon me armë Eleonora Ramën, nënën e Sokol Ramës dhe plagos vëllain e tij 14-vjeçar në Vlorë

9 tetor 2007
Edvin Zanaj, 21 vjeç, ekzekutohet me armë zjarri pasi dilte nga shtëpia e tij me qira në rrugën "Gani Domi", pranë Maternitetit të Ri. Policia e cilësoi krimin si vijim hakmarrës

11 nëntor 2007
Armand Zanaj, i arrestuar dhe i akuzuar nga policia si autor i vrasjes së Eleonora Ramës, është dënuar më 11 nëntor të vitit të kaluar nga Gjykata e Vlorës, duke u shpallur fajtor për këtë krim

"Vrasja në Tiranë, për hakmarrje"

TIRANE - Pas vrasjeve të ndodhura në Vlorë dhe në Spanjë, në vijim të hakmarrjes më 9 tetor të vitit të kaluar në Tiranë, mbeti i vrarë Edvin Zanaj, i dyti i vdekur në familjen Zanaj, të cilës në vitin 2006 i ishte vrarë një anëtar tjetër në Spanjë, Slejdi Zanaj. Për vrasjen në Tiranë, policia nuk është shprehur asnjëherë zyrtarisht, por dyshimet e saj kanë qenë se krimin mund ta ketë kryer pikërisht Sokol Rama. Dyshimet ishin shtuar pasi autoritetet spanjolle kishin refuzuar ekstradimin e Sokol Ramës në drejtim të Shqipërisë. Edvin Zanaj, u qëllua me pistoletë 3 herë në kokë, pasi ai sapo kishte dalë nga shtëpia e tij në Tiranë, ku banonte me qira. d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›