E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherri në shkollë, zhduket 14-vjeçari

 

DURRES - Një durrsak 14-vjeçar rezulton i zhdukur nga familjarët e tij prej 3 ditësh. E shqetësuar familja e Elis Fushës, nxënës në një shkollë jopublike, në klasën e nëntë, ka ndërmarrë një fushatë të gjerë sensibilizimi për ta gjetur sa më parë djalin e saj të vetëm. Kanë qenë njerëz të afërm të të humburit ata që kanë ngjitur në çdo cep të dukshëm të qytetit foton me mbishkrimin “Kërkohet”, të shoqëruar edhe me numrin e celularit të babait. Prej 6 ditësh ai nuk është paraqitur në mësim, por prej së dielës as në shtëpi. Familja e shqetësuar për këtë ka bërë denoncim në polici mbi zhdukjen e fëmijës si dhe ka shpërndarë në mënyrë publike apelin për ndihmë. Në shkollën ku mëson Elisi ka pasur një konflikt mes nxënësish për 3 mijë lekë të humbura, për të cilat nga personeli mësimor dhe moshatarët e vet është vënë para përgjegjësisë 14-vjeçari. Fëmija mund të mos ketë qenë aspak fajtor për këtë ngjarje, mirëpo opinioni i krijuar ka dëmtuar sedrën e tij. Duke qenë fëmijë me sedër të zhvilluar, ai nuk i ka duruar dot qortimet e mësuesve të vet dhe është larguar nga shtëpia pa asnjë adresë. Adoleshenti nuk gjendet, ndonëse kërkimet kanë nisur me kohë. Fusha është vëllai i vetëm i dy motrave binjake, të cilat mësojnë në të njëjtën shkollë. Një tjetër rast denoncimi është bërë në Policinë e Beratit. Këtë herë, një 19-vjeçare rezulton e zhdukur prej së hënës. Sipas policisë, Orjela Sulka nga komuna e Velabishtës ishte nisur për te familja e të fejuarit në komunën e Sinjës. Ajo ka qëndruar një natë te e vjehrra, ndërsa i fejuari ishte emigrant në Greqi, derisa të hënën në mesditë ka dalë nga shtëpia, pa lënë asnjë shënim. Banorë të zonës thonë se kishin parë një makinë që lëvizte në fshat, duke hedhur dyshimin se vajza është larguar me të, por nuk dihet me dëshirë apo jo.           o.u/d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›