E Diel, 1 Nëntor 2026

“I palejueshëm neglizhimi i marrëdhënieve me Shqipërinë”

 Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Kryeministrit shqiptar, Sali Berisha dhe Ministrit të Jashtëm, njëkohësisht zv/kryeministrit, Ilir Meta për një bashkëpunim më të ngushtë mes dy vendeve. Gjatë Konferencës së Ambasadorëve në Beograd, Tadiç ka folur në mënyrë të veçantë dhe pozitivisht për Shqipërinë. Në një fjalim para Ambasadorëve serbë në botë, në pjesën kushtuar bashkëpunimit rajonal, Presidenti Tadiç, ka deklaruar se, “Serbia dëshiron marrëdhëniet më të mira të mundshme me të gjithë fqinjët, sepse ky është një parakusht për integrimet evropiane”. Presidenti serb ka theksuar se, “asnjë shtet i rajonit nuk duhet të mbetet jashtë vëmendjes së politikës të jashtme të Serbisë”, si dhe ka shtuar se “kjo, në veçanti, ka të bëjë me Shqipërinë”. Duke u përqendruar te marrëdhëniet dypalëshe mes Serbisë dhe Shqipërisë, Tadiç tha se “Mendoj se është e palejueshme që marrëdhëniet tona me Shqipërinë të mbeten të neglizhuara apo të lëna pas dore, siç ka qenë rasti në dekadat e fundit. Serbia ka interes për një bashkëpunim me Shqipërinë”, theksoi Presidenti serb. Deklarata e Tadiçit vjen vetëm pak ditë pasi Kryeministri Berisha e ftoi liderin serb të vizitojë Shqipërinë. Gjatë një takimi me një delegacion serb nga Kosova në dhjetor 2009, Berisha pranoi se gjatë samiteve ndërkombëtare e rajonale ka diskutuar me presidentin Tadiç mbi një kapitull të ri për marrëdhëniet mes dy vendeve, duke shprehur edhe pritjen e mirë që i kishte bërë Tadiçi ftesës për të vizituar Shqipërinë.  Lideri i delegacionit, Sllobodan Petroviç e vlerësoi vizitën e fundit të Kryeministrit Berisha dhe z. Ilir Meta në Kosovë, duke detajuar se në këto vizita kanë krijuar edhe një lloj besimi brenda komunitetit serb.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›