E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama pranon dështimin, në Jemen arrestohet një lider i Al Kaedës

 Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama ka pranuar dështimin në strukturat e sigurisë dhe shërbimet sekrete amerikane, pasi ata i kishin të gjitha informacionet e nevojshme për ta parandaluar tentativën për sulm në ditën e Krishtlindjeve në avionin amerikan. Obama tha se ata dështuan t’i bëjnë lidhjet e duhura për ta kuptuar rrezikun. “Qeveria amerikane kishte mjaft informata që ta zbulonte dhe mundësisht ta parandalonte sulmin në Ditën e Krishtlindjeve, por strukturat tona të zbulimit dështuan t’i lidhnin këto pika, që do ta vinin të dyshuarin në listën e ndalim-fluturimit. Ky nuk është dështim i grumbullimit të informatave, por ishte dështim për t’i integruar dhe kuptuar informatat që tashmë i kishim”, tha Obama. Ai e quajti këtë të papranueshme dhe tha se nuk do të tolerojë dështime të tilla. Kreu i shërbimeve sekrete në Shtetet e Bashkuara është zotuar të bëjë disa korrigjime pas kritikave nga ana e presidentit Obama. Ndërkohë, pas nxitjeve nga Uashingtoni për intensifikim të përpjekjeve kundër terrorizmit, policia në Jemen ka arrestuar Mohammed al-Hanq, i cili konsiderohet lider i Al Kaedës në këtë vend. Ai kishte mbetur i plagosur gjatë një beteje në qytetin Hanak. Me të janë kapur edhe dy militantë të tjerë. Situata e tensionuar ka bërë që në ambasadat amerikane shumë shpejt të ndizet drita e alarmit. Dje në Bernë të Zvicrës u izoluan të gjitha rrugët pranë ambasadës amerikane pasi aty u gjet një pako e dyshimtë, e cila më pas rezultoi se nuk ishte e dëmshme. Ndërkohë edhe në aeroporte janë shtuar masat e sigurisë. Në një aeroport të Kalifornisë u ndërpre trafiku ajror për shkak të një lëngu të dyshimtë në një valixhe. Autoritetet më pas mësuan se lëngu ishte vetëm mjaltë. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›