Vlorë, plagos dajë e nip me thikë, në kërkim
VLORE/BERAT - Një i ri dhe daja i tij përfunduan në spital të plagosur me thikë nga fqinji 58-vjeçar. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 13:00 tek ish-kabinat në plazhin e vjetër. Sipas policisë, 28-vjeçari Fatjon Aliaj, emigrant i sapokthyer nga Italia, si dhe daja i tij 39-vjeçar, Valter Malaj morën plagë me armë të ftohtë. Mësohet se fqinji i Aliajt, Maksi Zanaj e ka qëlluar dy herë atë me thikë, duke e kërcënuar se nuk duhej t’i fliste të birit. Daja i të riut, pasi ka dëgjuar konfliktin ka ndërhyrë për t’i ndarë, por edhe ai është qëlluar me thikë. Të dy të plagosurit u çuan në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut, ndërsa 58-vjeçari është shpallur në kërkim. Mësohet se dy familjet kishin pasur konflikte edhe më parë, ndaj edhe autori i kishte kërkuar fqinjit të tij që të mos i fliste as të birit. Ndërsa në Skrapar, dy kushërinj u prangosën pasi plagosën me thikë dy të rinj në qytet. Sipas policisë, të arrestuarit janë Klodian Guri, 22 vjeç nga çorovoda dhe Emiliano Guri 25 vjeç po nga ky qytet. Në gjendje të dehur, pasi kanë dalë nga një lokal, ata kanë sulmuar me thikë A.Telajn 20 vjeç dhe A. Merkaj 20 vjeç. Dy të rinjtë ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën. q.b/d.xh