Tadiç në Kosovë: Paqe për të gjithë në hapësirën e përbashkët
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç ka mbërritur dje në Manastirin e Deçanit për të marrë pjesë në ceremoninë e Krishtlindjeve Ortodokse, nën masa të rrepta sigurie. Tadiç ka udhëtuar për në Deçan me helikopter, pasi edhe autoritetet e Kosovës e lejuan vizitën e tij.”Unë, si president i Serbisë, sot në Manastirin e Deçanit dërgoj mesazhe paqeje gjithandej dhe cilitdo në emër të qytetarëve të Serbisë, në emër të shtetit të Serbisë dhe në emrin tim personal, duke besuar se paqja është më se e domosdoshme në këtë hapësirë të përbashkët ku jetojmë, se paqja është e nevojshme për të gjithë popujt, për të gjithë njerëzit, të cilët ndajnë një të ardhme të përbashkët në këtë hapësirë shumë komplekse dhe të rënduar ballkanike”, tha Tadiç. Vizita e tij në Deçan u shoqërua edhe me protesta. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha se në protestë ishin të pranishëm rreth 300 persona. Presidenti i Serbisë, e kaloi natën në manastirin serb të Deçanit në Kosovën Perëndimore, për të marrë pjesë në mëngjes në ceremoninë fetare për Krishtlindjet Ortodokse. KFOR-i, Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it pritet të koordinohen së bashku për të bërë përcjelljen e presidentit Tadiç. Qeveria e Kosovës e lejoi të martën vizitën e Tadiçit, duke vënë si kusht se kjo duhet të jetë vetëm vizitë e karakterit fetar. Presidenti serb për vizitën e tij ka njoftuar përfaqësuesit e Zyrës së BE-së në Beograd dhe në Prishtinë, dhe më pas njoftimi u ka kaluar institucioneve të Kosovës.