Kryqi, një vajzë sfidon detin
Për të kujtuar pagëzimin e birit të Perëndisë Jezu Krishtit në ujërat e lumit Jordan, besimtarët festuan dje ditën e ujit të bekuar. Tashmë kjo ditë i ka kaluar kufijtë e besimit të krishterë, duke u shndërruar vit pas viti në një festë popullore, pjesëmarrës të së cilës janë edhe myslimanët. Riti i përhershëm i kësaj feste është hedhja e kryqit në lumë. Dhjetëra besimtarë nxitojnë ta gjejnë atë të parët, një rit ky që do të thotë çlirim i shpirtit nga mëkatet. Këtë vit, hedhja e kryqit është kryer diku në det, diku tjetër në lumë, në shatërvan, por madje edhe thjesht në një kazan uji. Për herë të parë, një vajzë nga fshati Nivicë është hedhur në ujë duke e gjetur e para kryqin. Në prani të besimtarëve dhe komunitetit, fshati Nivicë kishte përzgjedhur për hedhjen e kryqit ujërat e Jonit, pranë Kakomesë. Fati i buzëqeshi Katerina Mungulit. Vajza 16-vjeçare u shpërblye me dyfishin e shumës, duke marrë 10 mijë lekë për gjetjen e kryqit. Dhjetëra besimtarë përshëndetën aktin e së resë, e cila sfidoi ujërat e ftohta të detit derisa gjeti kryqin. Ndërsa në Sarandë fatlumi ishte një djalë i ri. Kryqi hidhet në kazan dhe merret nga prifti i kishës. Kjo ka ndodhur në Gjirokastër në ditën e shënuar të ujit të bekuar. Duket se rrebeshi i shiut trembi klerikët ortodoksë të cilët u mjaftuan veçse t’i bien rreth e rrotull kishës së Shën Mihajllos dhe më pas të hyjnë brenda duke respektuar ritin fetar të hedhjes së kryqit. Kryqi është hedhur nga priftërinjtë ortodoksë At Theodhori dhe At Dhionizi në kazanin metalik që shërben për pagëzime dhe është tërhequr po nga ata dhe nga një fëmijë dy vjeçar. është rasti i parë që ndodh në Gjirokastër që kryqi hidhet në një kazan në ambientet e brendshme të kishës. Dhjetëra besimtarë shprehën zemërim jo për motin e keq, i cili pushoi në orën 11:00, por për veprimin e klerikëve që sipas tyre u nxituan duke e kryer ceremoninë tradicionale një orë më herët se ç’duhej. Duke shpërfillur temperaturën e ujit të detit, i cili në Durrës shënonte më pak se 5 gradë besimtaret u zhyten duke i dhënë jetë një gare emocionuese. Ai që preku i pari kryqin ishte 17-vjeçari Mario Shkodra. Ndërsa në Korçë hedhja e kryqit çdo vit organizohet në një shatërvan në sheshin para katedrales. Kryqin që u hodh pas meshës së mbajtur nga Mitropoliti i Korçës, Imzot Johani, e kapi për të dytin vit 27-vjeçari Olger Tona. Në Fier, 12-vjeçari Gjergji Gjoni, arriti ta gjejë i pari kryqin e hedhur në shatërvan. Ndërsa në Vlorë, pasi kanë mbaruar ritualin brenda ambienteve të kishës së Shën Theodhorit, shumë prej besimtarëve i janë drejtuar plazhit të ri, tek moli. Aty prifti At Kostandin hodhi kryqin në det, nga ku më pas u gjet nga 35-vjeçari Vasil Zako nga Bestrova. Në Berat, kryqi u hodh nga ura e Goricës në Osum. Ishte 18-vjeçari Irakli Morali ai që arriti ta gjente i pari kryqin.