E Shtunë, 31 Tetor 2026

I pari, i madhi, njëshi...

Edmond Tupja 

Sigurisht që nuk mungojnë emërtimet zyrtare për të shenjuar personalitetet më të rëndësishme të një shteti, të një strukture qeveritare, të një partie, të një institucioni etj., etj. Kështu, për shembull, thuhet president, kryeministër, ministër, kryetar partie, kryetar bashkie, rektor, dekan, drejtor etj., etj., si edhe zëvendës... ose nën... Sidoqoftë, sot, në këtë shkrim nuk do të merrem me këto emërtime zyrtare, por me fjalët e thjeshta që përdor populli ynë për të shenjuar pikërisht zonjat dhe zotërinjtë (por më tepër këta të dytët sesa ato të parat) në fjalë.
Më kujtohet që, në kohën e diktaturës komuniste, Enver Hoxhën, Sekretarin e Parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, njerëzit e thjeshtë e thërrisnin, në mjedise familjare, thjesht “i madhi” ose “i “madhi fare”, ose “i pari”; askush nuk guxonte ta thërriste me mbiemër, as me emër pa e paraprirë me fjalën “shoku”, aq më pak ta thërriste me shkurtimin “Veri”; por, nga ana tjetër, kishte që e thërrisnin me përkëdheli “xhaxhi”, çka nuk u sillte ndonjë pasojë sepse, duke e thirrur kështu ata merrnin dashur pa dashur rolin dhe, detyrimisht, moshën e fëmijëve që adhurojnë autoritetin e të rriturve.Sot, në demokraci, shqiptarët dhe shqiptaret, të paktën një pjesë e mirë e tyre, ndihen më të lirë jo vetëm në shprehjen e mendimeve, por edhe në zgjedhjen dhe përdorimin e fjalëve të thjeshta për të shenjuar personalitetet e larta të shtetit, të partive, të organizatave e të strukturave qeveritare etj., etj. Kështu, për shembull, me ardhjen e pluralizmit tek ne, presidentin e zgjedhur në vitin 1992, e thërrisnin, sigurisht, presidenti, por familjarisht e quanin “doktori”, Berisha, tropojani (racizmi krahinor i shqiptarëve është tashmë i njohur), madje edhe Saliu ose, më shkurt, Sala. (Më duket se, këto vitet e fundit, “Saliu” e thërrasin më shumë kundërshtarët e tij politikë, kurse “Sala” e quajnë simpatizantët e tij, në mos qofsha i gabuar). Kur Fatos Nano u bë kryeministër në vitin 1997, pati që e thërrisnin, sigurisht, kryeministri, por familjarisht e quanin Nano ose Fatosi, madje edhe Tosi (Një nga aleatët, pastaj kundërshtarët e tij brenda radhëve të vetë Partisë Socialiste, pak më vonë do ta quante, në rrethe të ngushta, edhe “Qorri”, thjesht për shkak të syzeve optike që mbante). Nga ana tjetër, Leka Zogun e thërrasin, gjithmonë familjarisht, thjesht Leka pa e paraprirë këtë emër me titullin Naltmadhnia e Tij, kryetarin e sotëm të Partisë Socialiste e thërrasin Edi ose Rama, disa i thonë edhe “I Gjati”, sigurisht edhe për kontrast me “Të Shkurtrin”, Fatos Nanon; kryetarin e LSI-së e thërrasin thjesht Iliri ose skraparliu, etj. etj.
Kjo dukuri familjarizimi me “të mëdhenjtë” dhe “të mëdhajat” e këtij kombi (këto të fundit janë ca si tepër të rralla, por le të shpresojmë te realizimi së shpejti i barazisë gjinore në të gjitha sferat e jetës shqiptare), tregon, të paktën sipas mendimit tim me të cilin jam krejtësisht dakord, se “personalitetet e shquara” – shtetarë apo partiakë, politikanë apo shkencëtarë, artistë etj. – kanë zbritur nga piedestali i  adhurimit debil të pakushtëzuar dhe po vlerësohen si njerëz dhe jo si perëndi apo shenjtorë. Interesant është fakti se nuk thuhet më “i pari”, as “i madhi” apo “i madhi fare”; herë pas here, përdoret togfjalëshi “numri një” ose fjala “njëshi”, kurse për zëvendësin thuhet “dyshi” (Po për zëvendësin e zëvendësit, a thuhet “treshi?). Për të qenë i sinqertë me lexuesit e rubrikës sime, më duhet të pranoj botërisht se, duke punuar në arsim dhe duke i vënë të tëra notat nga njëshi te dhjeta, sa herë dëgjoj fjalën “njësh”, mendja më shkon, dashur pa dashur, te nota më e ulët, pra, te njëshi, dhe, kësisoj, vlerësimi im për personalitetin në fjalë sikur zbehet, venitet, squllet e shpërbëhet; kjo zbehje, venitje, squllje e shpërbërje theksohet edhe më shumë kur kujtohem se para “nëshit” vjen zeroja. Mirëpo fjala “zero” ka për sinonim fjalën “hiç” kështu që shprehjen proverbiale, gati  filozofike, “nga hiçi vijmë, tek hiç do të kthehemi” mund ta transformojmë si vijon: “nga zeroja vijmë tek zeroja do të kthehemi”. Të gjithë, pa përjashtim. Përfshirë edhe “njëshat”. Të çdo fushe, shteti, kontinenti apo race qofshin ata. Madje edhe jashtëtokësorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›