E Shtunë, 31 Tetor 2026

Triumfon Rusia në Eurosong, Shqipëria e 16-ta me 55 pikë

Rusi Dima Bilan ka fituar “Eurovision 2008” në Beograd me këngën “Believe”. Për këngëtarin e njohur rus nuk është hera e parë që triumfon në garën evropiane të këngës. 

ANILA MEMA

Me talentin e tij të veçantë dhe aftësitë e jashtëzakonshme, vokalin e ndjeshëm tërhoqi vëmendjen e botës në maj të vitit 2006, kur përfaqësoi Rusinë në “Eurovision 2006” në Athinë, ku fitoi dhe çmimin e dytë me këngën “Never let you go”. Me këngën e shkruar nga vetë ai dhe Jim Beanz, kompozuar nga të dy, rrëmbejnë trofeun në Serbi me epërsi të madhe ndaj vendit të dytë, i cili fitoi 272 pikë. Pas tij, vendin e dytë e rrëmbeu Ani Lorak nga Ukraina dhe vendin e tretë grekja Kalomira. Bilan është kualifikuar në natën finale, pas prezantimit të tij të parë në natën e parë gjysmëfinale. Ndërkohë, Shqipëria nuk mundi të kualifikohet në dhjetëshen më të mirë të edicionit të 53-të të “Eurosong” që zhvillohej në Serbi, pavarësisht opinioneve të mira që shkruheshin në faqe të ndryshme interneti për të. Përfaqësuesja e Shqipërisë, Olta Boka me këngën “Zemrën lamë peng” është vlerësuar vetëm me 55 pikë dhe është renditur në vendin e 16-të pas votimeve të 43 vendeve. Treshi ka qenë një numër të cilin Olta Boka e quan gjithmonë të rëndësishëm dhe si një numër fati. Por kësaj here, duket se fati nuk e ka ndjekur 16-vjeçaren shqiptare, e cila u ngjit dje në skenën e Beogradit me këngën “Zemrën lamë peng”.
* * *
Pas Rumanisë e cila çeli mbrëmjen finale të edicionit të 53-të “Eurosong”, Britanisë së Madhe në skenë është ngjitur 16-vjeçarja shqiptare me këngën e kompozuar nga Adrian Hila mbi vargjet e Pandi Laços, tingujt e së cilës bënë që të duartrokiste spektatori në arenën “Beogradska”. 12 pikët për këngën shqiptare janë marrë si gjithmonë nga Maqedonia, 10 pikë janë marrë nga Greqia, tetë pikë nga Zvicra e Kroacia, shtatë pikë nga Mal i Zi ndërsa katër pikë nga Sllovenia, tre pikë janë marrë nga San Marino dhe një pikë nga Bosnjë-Hercegovina, Turqia dhe Azerbajxhani. Olta kësaj here në krahasim me natën gjysmëfinale nuk ka ndryshuar performancë, është shfaqur me të njëjtën veshje të realizuar nga stilistja Mirela Nurçe, e njëjta zemër e madhe trengjyrëshe çiklami, jeshile dhe e verdhë në mes, përfaqësuesja e Shqipërisë është shfaqur dje. E vetmja gjë ndryshe, ka qenë truku, flokët, kësaj here të lëshuara dhe me pak onde nga fundi. Veç flokëve Olta ka mundur të përmbajë emocionet dhe të shfaqet sa më mirë në skenën e madhe që u zhvillua në Beograd, kryeqytetin e Serbisë. Ndërkaq, nga postimi i këngës në ueb-faqe www.youtube.com, Olta është klikuar më shumë se 190 901 herë, ndërkohë, që nuk mungojnë as komentet e adhuruesve të shumtë, jo vetëm të shqiptarëve por edhe të atyre britanikë, italianë, etj. Paraditen e djeshme, sipas disa komenteve të bëra në televizionin “Alpha” të Greqisë, komentohej mirë për performancën dhe vokalin e Olta Bokës, por ajo që diskutohej gjatë ishte truku dhe krehja e flokëve, të cilat sipas tyre dukeshin sikur ishin të pakrehur.
* * *
Për tre orë me radhë kanë konkurruar 25 finalistë nga vende të ndryshme, si përfaqësuesit e shteteve të Greqisë, Rumanisë, Bosnje–Hercegovinës, Finlandës, Rusisë, Izraelit, Azerbajxhanit, Armenisë, Polonisë dhe Norvegjisë, Ukraina, Kroacia, Shqipëria, Islanda, Gjeorgjia, Danimarka, Suedia, Letonia, Turqia dhe Portugalia, të përzgjedhur këta në dy netët gjysmëfinale. Ndërsa finales së madhe i janë bashkuar edhe pesë shtetet e kualifikuara automatikisht të cilat janë: Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Spanja dhe Serbia si vend organizues. Një nga surprizat e mbrëmjes finale të “Eurosong” ka qenë i famshmi Goran Bregoviç me këngën e tij pa aq të njohur “Kallashnikov”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›