E Diel, 1 Nëntor 2026

“I paudhi shpifi, trilloi se ju ia kishit vjedhur orën”

08/06/2009  Kryeministri Berisha kujton vizitën e ish-presidentit Bush në Fushë Krujë

Kryeministri Sali Berisha ka qenë tepër i ashpër me kundërshtarin e tij kryesor politik, kreun e Partisë Socialiste Edi Rama. Duke folur në një takim elektoral në Fushë-Krujë, kreu i mazhorancës ka kujtuar vizitën historike të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Xhorxh Bush. “Këtu në Fushë-Krujë u bë historia. Këtu erdhi për t’u takuar me ju ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por një njeri, i zhveshur nga çdo ndjenjë dhe moral njerëzor dhe kombëtar, tentoi t’ju përdhosë juve mikpritjen, moralin tuaj. Detyroi ish-presidentin e SHBA-ve, rast unik në histori, të nxjerrë orën, të cilën i paudhi shpifi, trilloi se ju ia kishit vjedhur”, - tha Berisha. Pikërisht nisur nga kjo ngjarje, Berisha kërkoi që askush të mos votojë personin që shkelmoi mbi mikpritjen e banorëve të kësaj zone. “Ju ftoj të gjithëve, demokratë, socialistë, republikanë, të çfarëdo bindjeje politike, mos pranoni t’i jepni votën atij, ndëshkojeni me votën tuaj të lirë, sepse guxoi t’ju gjuaj juve fshehtas, guxoi që nga errësira, nga fakultetet më të errëta njerëzore të njeriut të shpifë në mënyrë monstruoze për mikpritjen e jashtëzakonshme që ju i rezervuat ish-presidentit Xhorxh Bush.” Kreu i qeverisë tha gjatë këtij mitingu se vendi duhet të vazhdojë rrugën e nisur, atë të ndryshimit. Sipas tij, së bashku do të ngrihen të gjithë për të ndërtuar Shqipërinë evropiane. Nga Fushë-Kruja Kryeministri Berisha ka bërë përsëri thirrje që të gjithë qytetarët duhet të pajisjen me kartat e reja të identitetit. Ai kërkoi që pavarësisht nga bindjet politike, të gjithë duhet të ngrihen në lartësinë e përgjegjësisë qytetare dhe të marrin letërnjoftimet elektronike. “Letërnjoftimi elektronik është dëshmia më moderne e identitetit tuaj në Europë. Me letërnjoftimin elektronik ju e barazoni veten me qytetarin e vendit më të zhvilluar në Europë. Merreni letërnjoftimin edhe si dëshmi e një vullneti të hekurt për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme. Çdo njëri prej nesh ka një shans të madh të japë një kontribut për Shqipërinë europiane, letërnjoftimin”, - tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›