E Shtunë, 31 Tetor 2026

I pëlqen çmimi

Elvana Gjata ishte triumfuese e dyfishtë në edicionin e tetë të festivalit “Top Fest”, me ç’rast me këngën e saj “Me ty”, fitoi çmimin për artisten më të mirë dhe çmimin e madh të festivalit. Nga Express më 09 qershor 2011 në ora 15:48

Elvana Gjata është ndier shumë mirë për suksesin e saj në Top Fest, pavarësisht se kanë filluar të ndihen zëra nëpër mediat shqiptare se qysh në fillim ajo ishte konsideruar favorite.

Elvana, me të dalë në skenë me këngën “Me ty”, që i kushtohet këngëtares së ndjerë Amy, menjëherë ishte thënë se ajo ishte favorite dhe mund ta fitonte këtë edicion të Top Fest 8.

“Ishte një ndjesi shumë e bukur. Isha pak e lodhur, emocionet dhe stresi bënë të vetën. Së bashku me Florin kemi punuar gjatë për këtë këngë dhe në njëfarë mënyre isha e përgatitur që kënga të pëlqehej, por çmimet ishin një surprizë e madhe”, ka thënë ajo në një intervistë për shqipëria.com.

Megjithatë, Elvana e ka konsideruar të vështirë fitoren e saj duke thënë se konkurrenca ishte e madhe. “Sepse në këtë edicion ka pasur këngë shumë të mira dhe të forta. Jam shumë e lumtur që i besova edhe këtë herë zgjedhjes së Florit”, ka thënë ajo.

Ajo ka vazhduar të thotë se nuk e harron momentin kur Flori i kishte treguar për këngën. “Ishte shumë e ndier dhe ashtu siç mendoja, u përcoll dhe u prit shumë mirë nga publiku. Nëpër festivale, unë e kam ndier veten më mirë me balada. Mendoj që arrij ta përcjell më mirë emocionin në një baladë”.
Ndryshe, edicion i sivjetmë i Top Fest 8 u mbajt të dielën dhe është përcjellë me interpretim “live” të këngëtarëve të ndryshëm.

Këtë e vlerëson edhe Elvana duke thënë: “Unë i vlerësoj shumë kompeticionet ‘live’ dhe gjithmonë kemi menduar që gjërat t’i ndajmë në mënyrën e duhur. Pasi kisha lansuar disa këngë ritmike që u bënë hite, kishte ardhur momenti të prezantohesha sërish me një baladë. Gjithçka ka qenë e ndarë në kohën e duhur dhe momentin e duhur, ndaj dhe kjo baladë erdhi në kohën e duhur”.

Ajo shton se pavarësisht se Flori nuk ka fituar me këngën e tij hit “Tallava” (fitoi çmimin e internetit dhe ishte në garë për çmimin kryesor), edhe kënga “Me ty” është një prodhim i tij dhe ai mund të konsiderohet si një “gjysmëfitues”. “Ai i di telat. Me muzikën e tij bën që kënga të kthehet hit dhe e dashur për dëgjuesit”.

Edhe album të ri

Elvana Gjata po ashtu ka paralajmëruar se është në përgatitje të albumit të saj më të ri. Ajo ka thënë së është në pritje të tij dhe mezi pret që ai të dalë sa më shpejt. Këngëtarja është duke u përgatitur shumë për këtë album, përderisa gjatë këtij viti, ajo ka realizuar edhe videoklipin e këngës së saj më të re, “Kudo që jam”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›