Ekspertët kontabël, skema e vjedhjes 1.5 miliardë lekë
Prokuroria zbardh mekanizmin e përdorur nga kryetatimorja e Fierit për të vjedhur shuma të konsiderueshme parash
TIRANË- Prokuroria e kryeqytetit ka zbardhur dje skemën e mashtrimit të përdorur nga gjashtë ekspertët kontabël për të përfituar shuma të konsiderueshme parash.
Grupi, në të cilin bënte pjesë edhe kryetatimorja e qytetit të Fierit, ka hapur në qytetin e Elbasanit dy kompani fantazma të cilat i përdornin për t'i mbuluar qarkullimet financiare të kompanive që ata i mbanin bilancet.
"Nga hetimet disa mujore është arritur të provohet se gjashtë të dyshuarit: Nevila Bama, Shkëlqim Sako, Marjana Palla, Ajeta Shkëmbi, Klodian Çela dhe personi i shpallur në kërkim emri i të cilit nuk bëhet i ditur për arsye hetimore, me anë të faturave të falsifikuara, duke ia veshur detyrimet kompanive fantazmë kanë bërë që këto kompani (pa administrator) t'i detyrohen Drejtorisë Tatimore shumën e 1.5 miliardë lekëve të vjetra.
Shumë kjo e nxjerrë nga detyrimet që firmat fantazmë i detyrohen shtetit në pagimin taksave, si për tatimin mbi fitimin dhe tatimet e vlerës së shtuar të ngarkuar nga kompanitë ku ekspertët bënin bilancet",- thuhet nga akuza.
Po këto burime konfirmuan se kontabilistët, duke falsifikuar fatura të ndryshme të pagesave karshi kompanive fantazmë, kanë përfituar shuma të ndryshme parash nga shteti, i cili i subvencionon Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH-n) si dhe kanë përfituar.................................. po me të qarkullimit financiar të kompanive të tyre në emër të kompanive fantazmë duke iu shmangur detyrimeve tatimore mbi fitimin.
Gjithashtu, mësohet se ekspertët kontabël profesionin e tyre e kryenin kryesisht në qytetin e Fierit, Elbasanit dhe Tiranës, ku pasqyronin pranë Drejtorisë së Tatimeve bilance dhe të dhëna fiktive të kompanive për të cilat punonin.
Sipas prokurorisë, kallëzimi ka ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, pranë së cilës kompanitë fantazmë nuk kanë shlyer asnjë detyrim tatimor edhe pse me fatura figuronin si kompani e biznesit të madh që qarkullonte aktivitet të madh.
"Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këto dy kompanitë fantazmë, përveç se nuk kishin asnjë aktivitet të tyre punues, kishin si administrator persona që nuk e kishin idenë se për çfarë bëhet fjalë. Këta administratorë në letër, janë marrë në pyetje dhe ka rezultuar se ata nuk kishin dijeni për asnjë kompani të hapur në emër të tyre, por, konfirmuan se kohë më parë me kërkesë të disa prej të arrestuarve kanë firmosur disa letra dhe shkresa, të cilat nuk i dinin se çfarë ishin",-thuhet nga prokuroria.
Sipas tyre, ekspertët kontabël Nevila Bama, ish- kandidatja e PD-së në Lushnje dhe drejtoreshë e Tatimeve bashkë me Klodian Çelën dhe personin e shpallur në kërkim bashkëpunonin në njërën firmë fantazmë të ngritur prej tyre ndërsa në tjetrën rezulton......................... se është hapur nga i dyshuari Shkëlqim Sako dhe Ajet Shkëmbi ndërsa Marjana Palla kryente punën e ekspertes kontabël, Sipas akuzës, të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohen se kanë kryer veprat penale të "vjedhjes me anë të mashtrimit"; "falsifikimit të dokumenteve"; "shpërdorimit të detyrës" dhe "krijimit të faturave, bilanceve dhe në tërësi të një aktiviteti biznesi fiktiv".
Ndërkohë, prokuroria konfirmoi se paraditen e sotme, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, do të shqyrtohet kërkesa e organit të akuzës në lidhje me verifikimin e masave të sigurisë "arrest me burg" të caktuara në mungesë me personat e arrestuar.