I penduari i Bandës së Lushnjës: Aldo Bare vrau Xhevat Demirin
Kreu i Bandës së Lushnjës, Aldo Bare, është përballuar dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda me bashkëpunëtorin e drejtësisë, Arben Kici, i cili tregoi detaje nga vrasja e Xhevat Demirit në vitin 1997. Dëshmia e bashkëpunëtorit është dhënë me dyer të mbyllura në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë dhe ka zgjatur më shumë se katër orë, ku Kici ka deklaruar se ka parë Aldo Baren duke qëlluar me breshëri kallashnikovi shqiptaro-maqedonasin Xhevat Demiri. Më parë, në fillim të seancës gjyqësore, Bare folur gjithë ironi, duke shtuar se vazhdimi i procesit është i kotë, pasi fundi i tij tashmë është i përcaktuar. “Gjyqi është farsë dhe dënimi është paracaktuar nga drejtësia shqiptare”, tha kreu i bandës së Lushnjës, duke deklaruar se nga drejtësia dhe nga mediat ai është quajtur “ufo”. Më pas drejtuesja e Kolegjit Penal, Fatmira Hajdari, tha se i pandehuri i kishte të gjitha të drejtat për të dhënë deklarime të lira.
Dëshmia e bashkëpunëtoritPas shkëmbimit të batutave, prokurorët Besnik Muçi dhe Gentian Trenova i kërkuan gjykatës që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura, pasi do të dëshmonte bashkëpunëtori Arben Kici. Gjykata e pranoi kërkesën, ndërsa për dëshminë e tij është pyetur edhe i pandehuri, i cili ka deklaruar se nuk e njeh këtë person. Nën statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, si edhe nën masa të rrepta sigurie dhe me dyer të mbyllura, në Gjykatën e Krimeve të Rënda vijoi për katër orë me radhë dëshminë Kici, i cili nga sa mësohet brenda seancës ka shpjeguar me detaje rrethanat në të cilat ka ndodhur vrasja e Xhevat Demirit. Sipas tij, ka qenë Banda e Lushnjës dhe pikërisht Aldo Bare që qëlloi mbi Demirin. Shqiptaro-maqedonasi Xhevat Demiri, së bashku me gruan, Mimozën, si edhe disa persona të tjerë po udhëtonin me një furgon në drejtim të Lushnjës, në vendin e quajtur Kthesa e Blerimit. Katër persona të maskuar dhe të armatosur kanë qëlluar në drejtim të Demirit, duke e lënë të vdekur në vend. E veja e shqiptaro-maqedonasit, Mimoza Demiri, dhe dëshmitari Arben Kici, të cilët mbajnë statusin e bashkëpunëtorëve të drejtësisë, kanë identifikuar si autorë të vrasjes kapon e Bandës së Lushnjës, Aldo Baren, krahun e tij të djathtë, Enver Dondollakun, Ilir Stërgun dhe Afrim Hoxhën, të cilët pas krimit janë transportuar me makinë nga Arben Boriçi. Sipas prokurorisë, Demiri është vrarë për hakmarrje, pasi kishte miqësi me Tur Dajën, armikun e përbetuar të Aldo Bares, të cilit i kishte vrarë vëllain. Për vrasjen e Xhevat Demirit më 3 gusht 1997, si dhe krime të tjera të kryera në kuadër të bandës së Aldo Bares, në kafazin e hekurt janë ulur: Arben Boriçi, Ilir Stërgu, Afrim Hoxha, Rexhep Gina, Agur Jorgo Muzaka, Arian Aliçko dhe Erion Cici.
Reagimi i avokatitNdërkohë, detajet e dëshmisë së Kicit janë kundërshtuar nga avokati i Bares, Vladimir Meçi. Avokati i kërkoi gjykatës që dëshmia e Kicit të mos merret parasysh, pasi ai më parë është arrestuar në qytetin e Lushnjës. Duke parë edhe ligjin, avokati sqaroi se një person me precedentë penale nuk mund të dëshmojë. Meçi iu referua rastit të një kontrolli të policisë ndaj Arben Kicit të ndodhur disa vite më parë. Kici, sipas avokatit, ka debatuar gjatë ndërrimit të disa posterave të një subjekti politik me disa persona. Konflikti ka arritur deri në përplasje fizike. Më pas, kontrolli i policisë i ka gjetur një armë. Ndërkohë, avokati e kundërshtoi dëshminë e Kicit, pasi më parë ky dëshmitar ka ndërruar disa rrethana. Sipas tij, ai nuk është i besueshëm. Gjykata ka pranuar disa nga kundërshtimet, ndërsa seanca e djeshme u shty për t’u paraqitur dëshmitarët e tjerë.
#