E Diel, 1 Nëntor 2026

Pengmarrje në Arbanë, dyshohet hakmarrja për plagosjen me armë

 

TIRANE – Policia arrestoi dje një person të akuzuar për rrëmbimin dhe mbajtjen peng të një banori të fshatit Arbanë, zonë në periferi të kryeqytetit. Prangosja e të dyshuarit është bërë pas denoncimit nga i dëmtuari i ngjarjes. Aleksandër Akulli, rreth 33 vjeç, banues në Kombinat, është arrestuar dje në mbrëmje me akuzën e heqjes së padrejtë të lirisë dhe rrëmbimit të personit. Policia tha se sipas denoncimit, Elvis Gurra 28 vjeç, banues në Kombinat, ka lajmëruar se ishte marrë dhe po mbahej peng nga Aleksandër Akulli. Policia dhe prokuroria, kanë qenë të dyzuar deri dje në mbrëmje vonë për të vendosur arrestimin e të denoncuarit për shkak se rrethanat e ngjarjes nuk ishin plotësisht të qarta. Personi që kishte denoncuar rrëmbimin në drejtorinë e Policisë së Tiranës, ishte sipas bluve person me precedentë penal ndaj hetuesit nuk i kanë besuar që në fillim  thënieve të tij. Sipas policisë, autori i denoncimit është akuzuar për një krim në moshë të mitur ndërsa në vitin 2004, aksidentalisht ka vrarë nënën e tij me armë zjarri automatike. Policia i ka marrë një deklarim të hollësishëm këtij personi, që pretendonte se ishte rrëmbyer dhe mbajtur peng nga Aleksandër Akulli. Më pas, hetuesit kanë kërkuar të dinë nga i dëmtuari rrethanat dhe motivet e ngjarjes së ndodhur pasditen e djeshme në fshatin Arbanë të Tiranës. Vetë i dëmtuari ka qenë konfuz në dhënien e deklarimeve të tij dhe në shumë raste i paqartë për rrethanat e ngjarjes. Ai ka pretenduar se rrëmbyesi i tij e ka marrë në makinë dhe më pas e ka dërguar në Arbanë, në një zonë të izoluar, ku e ka mbajtur peng dhe ka ushtruar dhunë ndaj tij. Sipas të dëmtuarit nga ngjarja, ai nuk ka mundur të mësojë motivin e rrëmbimit. Kjo ka shtuar edhe më tepër, situatën e paqartë, duke bërë që policia të artikulojë dyshime në deklarimet e personit që ka bërë denoncimin. Gjithsesi, dyshimet kryesore të policisë mbi motivet e mundshme të ngjarjes, lidhen me një ngjarje të ndodhur në qendër të Kombinatit më 10 korrik të këtij viti. Mbrëmjen e 10 korrikut rreth orës 22:00, Aleksandër Akulli, ka mbetur i plagosur nga një armë zjarri e llojit pistoletë. Autori i krimit mësohet se ka qëlluar me një armë të pajisur me silenciator. Nga të shtënat Aleksandër Akulli, ka mbetur i plagosur lehtë në këmbë, por nuk ka pasur dëmtime serioze për jetën. Ai është dërguar në spital, policia ka nisur hetimet mbi autorësinë e ngjarjes. Dyshimet e policisë për pengmarrjen e djeshme janë drejtuar mbi këtë ngjarje, por hetuesit nuk kanë gjetur ende të dhëna që e lidhin autorësinë e ngjarjes së djeshme me plagosjen e Akullit në muajin korrik. Pasi ka marrë kallëzimin nga Elvis Gurra, policia ka shoqëruar dhe më pas arrestuar Aleksandër Akullin, me banim në kombinat të Tiranës.             d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›