E Shtunë, 31 Tetor 2026

I përgjigjen LDK-së, ka vende për të gjithë nxënësit e komunës

Nga Express më 19 shtator 2011 në ora 15:49

Drejtoria komunale e Arsimit të Ferizajt është shprehur të hënën të jetë e vendosur që të zbatoj vendimin e saj, në bazë të së cilit numri i nxënësve të regjistruar në klasat e dhjeta nuk do ta kaloj numrin 9. Sipas autoriteteve komunale vende të lira ka për të gjithë nxënësit e komunës që dëshirojnë të regjistrohen, por kjo nuk do të jetë e mundur edhe për nxënësit nga komunat tjera për shkak të mungesës së kapaciteteve.

Drejtues të kësaj drejtorie gjatë një konference për medie i kanë hedhur poshtë kritikat e Degës së LDK-së të Ferizajt bërë ditë më parë, për parregullsitë që e kanë përcjell procesin e regjistrimit.

Drejtori i DKA-së Agim Berisha, i ka quajtur si të pavërteta pohimet LDK-së, duke thënë se ky është viti i parë që po zbatohen kriteret e një standardi të ri të regjistrimit, gjithnjë në interes të fëmijëve.

“Nuk e di se a janë të njoftuar me kriteret bazë të regjistrim të nxënësve në klasat e dhjeta, ku si kriter merret suksesi i klasës, testi i arritshmërisë dhe pikët që fitohen në lendet prioriritare. Ne këto nuk mund t’i ndryshojmë dhe nuk duam që t’i ndryshojmë dhe as që na shkon mendja në këtë rrafsh që t’i fusim duart, por të gjithë nxënësit që janë regjistruar deri më sot janë regjistruar sipas meritës dhe suksesit që kanë”, ka thënë Berisha.

Duke i komentuar thëniet se një numër i madh i nxënësve me sukses të shkëlqyeshëm kanë mbetur jashtë bankave shkollore, si rezultat i manipulimeve gjatë regjistrimit, drejtori ka tërhequr vërejtjen se edhe për këta nxënës ka vend, por jo aty ku ata dëshirojnë por aty ku i kanë mundësitë.

“Sigurisht se kanë mbetur, por vendin e kanë për regjistrim jo aty ku dëshirojnë të regjistrohen, por aty ku i kanë mundësitë sepse ata kanë hyrë në një garë me të fortit dhe i kanë eliminuar. Mund të ndodh që në shkolla janë regjistruar nxënës me pak pikë, por që i kanë plotësuar tri kriteret e konkursit që i shpall Ministria e Arsimit Ne nuk jemi fajtor që ata janë rreshtuar në një garë të pa barabartë me kolegët e tyre dhe sot nuk mund të regjistrohen aty ku kanë pasur dëshirë që të regjistrohen”, është shprehur Berisha.

Sipas zyrtarëve të arsimit janë edhe 200 vende të lira në Shkollën e Mesme të Bujqësisë “Zenel Hajdini” .

Ndërsa sa i përket akuzës tjetër të degës së LDK-së në Ferizaj, se qyteti ynë është i mbyllur për nxënësit e komunave të tjera, drejtori Berisha ka thënë se kjo është shumë e vërtet dhe është për shkak të asaj që duhet të sistemohen më parë nxënësit e komunës, e tek më pastaj të komunave tjera.

“Shumë e vërtetë, përgjegjësia e parë si drejtori dhe komunë ka qenë t’i sistemojmë të gjithë nxënësit e komunës sonë, e tek më pastaj sipas mundësive edhe nxënësit e komunave fqinje. Në shkollat regjionale siç është shkolla e mjekësisë dhe ajo e muzikës, kemi qenë të hapur dhe vërtet në shërbim të të gjithë nxënësve të regjionit, e jo ashtu siç thotë LDK-ja. Prandaj nuk jemi qytet i mbyllur, por jemi shumë i hapur në radhë të parë duhet t’i sistemojmë nxënësit e komunës sonë”, është shprehur Berisha.

Ndryshe, zyrtarët komunal të arsimit i kanë hedhur poshtë edhe akuzat lidhur me procesin e regrutimit të punëtorëve nëpër shkolla, duke thënë se ai është bërë konform proceduarve të konkursit në të dyja afatet e tij.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›