E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pritet shkatërrimi i barnave me afat të skaduar

Nga Express më 19 shtator 2011 në ora 16:55

Një ndër problemet me të cilat është ballafaquar Ministria e Shëndetësisë që nga viti 1999, ka qenë hyrja e një sasie të konsiderueshme barnash me afat të skaduar, si donacione dhe në forma të tjera. Mirëpo tani asgjësimi i barnave, të cilat gjenden në depon e Mazgitit do të bëhet i mundur në saje të tenderit, që ka nënshkruar MSH-ja me një kompani vendore. Këtë e pohojnë për Kosovapress edhe zyrtarë nga kjo ministri, të cilët thonë se procesi i shkatërrimit të barnave me afat të skaduar pritet të fillojë brenda disa ditëve.

Drejtor i departamentit të informimit në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti ka thënë se
Ministria e Shëndetësisë ka lidhur një kontratë me kompani vendore dhe së shpejti do të fillojë asgjësimi i barnave që janë grumbulluar që nga viti 1999 e këndej.

Sipas Hotit, kjo kompani ka ofruar të gjitha garancionet dhe i ka përmbushur të gjitha kërkesat, të cilat kanë qenë të specifikuara në tender dhe tashmë procesi i shkatërrimit të barnave me afat të skaduar pritet të fillojë brenda disa ditëve.

“Tashmë kemi një lajm të mirë, Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar një kontratë me një kompani vendore për shkatërrimin e atyre produkteve farmaceutike, të cilave u ka skaduar afati dhe të cilat me vite të tëra janë grumbulluar në depon e MSH-së në Mazgit. Kjo kompani ka ofruar të gjitha garancionet dhe i ka përmbush të gjitha kërkesat, të cilat kanë qenë të specifikuara në tender dhe tashmë procesi i shkatërrimit të barnave me afat të skaduar pritet të fillojë brenda disa ditëve”, ka thënë Hoti.

Hoti gjithashtu ka bërë të ditur se tenderin për asgjësimin e barnave me afat të skaduar e ka fituar kompania “KMI Drenas”.

Ndërsa në këtë kontratë është paraparë që i gjithë procesi për shkatërrimin e këtyre produkteve farmaceutike me afat të skaduar, të jetë me kohëzgjatje 70 ditësh.

“I gjithë procesi do të kalojë nëpër disa faza. Faza e parë është faza e transportit të këtyre produkteve që përmbajnë substanca aktive nga depoja në Mazgit, në vendin ku do të bëhet asgjësimi, faza e dytë do të jetë ndarja dhe faza e tretë do të jetë shkatërrimi i tyre. Pra, i gjithë ky proces parashihet që të përmbyllet në një afat kohor prej 70 ditësh”, ka bëtë të ditur Hoti.

Ndërkaq sipas përllogaritjeve që ka bërë MSH-ja, do të asgjësohen rreth 200 tonë barna me afat të skaduar, gjë që do të kushtojë rreth 500 mijë euro.

Kurse sa i përket këtyre barnave, sipas zyrtarëve në Ministrinë e Shëndetësisë, para asgjësimit është kërkuar të bëhet regjistrimi i të gjitha materialeve dhe barnave me afat të skaduar.

Sipas Hotit, asgjësimi i materialit medicinal do të bëhet sipas standardeve të përcaktuara në Udhëzimin Administrativ 12/2008, të aprovuar nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor (MAPH).

Gjithashtu kjo kompani duhet t’iu përmbahet udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për shkatërrim të sigurt të produkteve farmaceutike.

Ndërsa drejtuesi i Kompanisë “KMI Drenas”, Arian Lleshi theksoi se kompania të cilën e drejton ai i përmbush të gjitha kriteret e parapara ligjore.

“Së pari ka qenë parakusht për kualifikim edhe plotësimi i kushteve teknike për një gjë të tillë. Kushtet teknike janë të caktuara prej Organizatës Botërore të Barnave, ku aty ceket saktë se si do të bëhet asgjësimi i barnave me afat të skaduar. Do të thotë janë rregullat teknike që ne i plotësojmë absolutisht dhe mbajmë përgjegjësi të plotë që i plotësojmë kushtet”, ka thënë Lleshi për Kosovapress.

Lleshi po ashtu shton se kjo kompani është e pajisur mjaft mirë edhe për mbrojtjen e ambientit.

“Së pari duhet me ditë se mbrojtja e ambientit nuk bëhet nga njerëzit, po nga pajisjet, ne i kemi pajisjet të cilat e mundësojnë një gjë të tillë”, shprehet Lleshi.

Ndryshe, sa i përket asgjësimit të barnave, Kosova nuk ka pasur asnjëherë furra adekuate për një gjë të tillë. Andaj, që nga viti 1999, në depot e Ministrisë së Shëndetësisë janë grumbulluar tonelata barna me afat të skaduar. (KP)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›