E Shtunë, 31 Tetor 2026

I përkushtohet karrierës

Emina Çunmulaj është e para modele shqiptare që ka arritur të dalë në kopertinat e revistave të njohura të modës si “Vogue” dhe “Marie Claire” dhe po e para që ka sfiluar për pothuajse të gjithë stilistët më me emër në industrinë e modës. Nga Express më 20 dhjetor 2010 në ora 13:47

Ajo ka bërë të pamundurën që ta përfaqësojë denjësisht bukurinë shqiptare anembanë botës. Që është shqiptare nuk e ka mohuar askund, madje ka ripërsëritur disa herë se ky fakt e bën të ndihet krenare. Ka 10 vjet përvojë si modele, e prapë vazhdon të jetë ndër më të kërkuarat dhe më të suksesshmet, ndonëse në jetën private gjërat nuk kanë funksionuar siç duhet. Rikujtojmë se ka qenë e martuar me modelin Bekim Lulanji, prej të cilit është divorcuar.

Sa vjet u bënë që bëni modelen dhe çfarë ju ka shtyrë në fillim drejt këtij profesioni?
U bënë tetë vjet të plota që merrem me modelizëm, megjithatë paraqitja ime e parë si modele ka qenë para dhjetë viteve, në “Elite Model Look” ku fitova edhe çmimin e parë. Megjithëse ka kaluar shumë kohë që nga paraqitja ime e parë, ende e kujtoj sikur të kishte ndodhur dje.

Cilat janë anët e mira dhe të këqija të të qenit modele?
Sikurse çdo profesion tjetër, edhe modelimi ka të mirat dhe të metat e veta. Gjërat e mira janë udhëtimet e shpeshta që bëjmë rreth botës, njohja me kultura të vendeve të ndryshme. Njihemi dhe shoqërohemi me njerëz të ndryshëm, e shumë të tjera. Por, nga ana tjetër, më mungon shumë familja, shoqëria, pastaj pamundësia për të qenë pjesë e mbledhjeve dhe festave familjare, që janë shumë të rëndësishme për mua.

Çfarë karakteristikash duhet të ketë sipas jush një modele perfekte?
Para së gjithash, ajo duhet të jetë profesioniste, pastaj vijnë parametrat fizikë, ku secila vajzë që pretendon të jetë modele e suksesshme, duhet të jetë 177-182 cm, e dobët dhe duhet të krijojë një personalitet të saj, të cilin duhet ta ruajë me çdo kusht.

Çfarë ndryshimesh ka Emina në pistë, me atë në jetën e përditshme?
Jemi krejtësisht të ndryshme. Në pistë, unë jam thjesht një kukull, e cila duhet që rrobat që i ka veshur t’i prezantojë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të bëjë që ato të shiten tek adhurueset e modës. Ndërsa në fund të ditës, kur kanë mbaruar sfilatat dhe shkoj të takoj familjen, jam thjesht Emina dhe jam e barabartë me motrën dhe vëllain.

Keni konkurrencë dhe nëse po, ia keni frikën?
Po sigurisht, si në çdo profesion tjetër, edhe këtu ka, për të mos thënë që konkurrenca është më e madhe në modelim. Megjithatë, unë kam arritur të krijoj një personalitet timin dhe për këtë gjë nuk ia kam frikën konkurrencës, përkundrazi më motivon të punoj më shumë.

Cilën prej sfilatave që e keni pasur do të veçonit si më të mirën?
Pyetje e vështirë...Unë kam punuar për Armanin, Diorin, Versacen, e shumë të tjera dhe secila prej këtyre ka qenë një eksperiencë e veçantë, prandaj nuk do të doja të bëj dallime.

Keni lidhje aktualisht?
Preferoj të mos jap shumë detaje nga jeta ime private dhe nuk ndihem komode kur më bëjnë këto pyetje. Jam e divorcuar.

Cilat janë disa nga gjërat pa të cilat ju nuk mund të bëni?
Ka shumë, por po përmend disa prej tyre. Shëndeti, familja, shoqëria, si dhe çantat e dorës e takat e larta i kam fiksim (qesh)…

Ku do t’i festoni festat e fundvitit?
Për Krishtlindje do të jem në Zelandë, kurse për Vitin e Ri, në Australi.

Për çfarë do ta mbani mend vitin 2010?
Për shumë gjëra të mira dhe të këqija. Shumë punë dhe angazhime, por shpresoj që vitet e tjera të jenë edhe më të mira.

Cila është dëshira juaj për 2011-n?
Kam shumë dëshira (qesh) sigurisht edhe unë si çdo person tjetër, dua shëndet, sukses dhe shumë dashuri.

Cilat janë planet e së ardhmes?
Më presin shumë sfilata dhe sete fotografish që në fillim të janarit. Do të vazhdoj të punoj dhe të bëj të pamundurën për ta prezantuar sa më mirë bukurinë shqiptare në botë, ashtu siç kam bërë deri më sot. Jam krenuar gjithmonë dhe vazhdoj të krenohem që jam shqiptare. (Panorama)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›