Kur grushtojne femrat
Një reklamë e shfaqur ditët e fundit në televizionet shqiptare fton gratë dhe vajzat e dhunuara të denoncojnë dhunën dhe të kërkojnë këshillim në numrin e telefonit 042xxxxx. Në këtë numër, gratë dhe vajzat kanë mundësi të këshillohen si të veprojnë në rast dhune të ushtruar nga bashkëshortët, dhunë fizike apo psikologjike qoftë. Pasi kemi mësuar se në vendin tonë janë femrat ato që dhunohen nga meshkujt. Por, një incident i dhunshëm i ditëve të fundit, ku dy “artiste” këngëtare u kacafytën me njëra-tjetrën, na detyron të mendojmë se nuk janë vetëm meshkujt ata që, në mungesë të aftësisë për të arsyetuar, përdorin dhunën.
Ky rast i shfaqjes së dhunës mes dy femrave “artiste” shënoi një ngjarje që u siguroi shumë të përditshmeve një artikull të sigurt, që do të tërhiqte vëmendjen e të gjithëve. Artikuj, ku përveç rrëfimit të errët të ngjarjes së ndodhur, hidheshin pandehma mbi shkaktaren e zënkës, ose më saktë të rrahjes. Kështu, lexuesi nisi të krijonte mendime të ndryshme mbi atë se cila mund të ishte nismëtarja.
Mendoj se kjo ngjarje duhet parë përtej zbulimit të fajtores nismëtare. Ndoshta është më mirë të shohim më thellë dhe më përtej asaj çfarë është thënë në faqet e gazetave. Duhet bërë një analizë e tillë, sepse kemi të bëjmë me dy “artiste” këngëtare, të cilat shfaqen shpesh në ekran, shfaqen shpesh në media dhe me sjelljen e tyre, dashur padashur bëhen model për një brez të ri.
Për të kuptuar më qartë, e nisim nga e dhëna kryesore: dy femra këngëtare të cilat zihen me grushte. Pyetja e parë që të vjen ndërmend është: Çfarë mund të presim nga këto këngëtare, të cilat arrijnë deri në atë pikë, sa për çfarëdolloj shkaku përfundojnë duke u rrahur rrugëve të kryeqytetit?
Shkojmë më tej në shkaqet e ngjarjes. Fillimisht u tha se zënka ka filluar në një spektakël kosovar, ku dy këngëtaret merrnin pjesë, dhe arsyeja e vetme mbetet ajo e xhelozisë artistike që njëra mund të ketë për tjetrën. E nëse është kështu, kjo është një arsye e turpshme, që na tregon qartë se përpara nesh nuk kemi të bëjmë me artiste, por me dy femra të padenja për ta merituar këtë fjalë. Nëse xhelozia artistike do të ishte motiv i vlefshëm për t’u rrahur me grushte, atëherë artistet amerikane (artiste që e meritojnë këtë fjalë), tanimë do t’i kishin shkulur flokët njëra-tjetrës, mbështetur edhe nga fakti që artistet botërore, sidomos këngëtaret, suksesin e tyre e matin me CD të shitura dhe me shifra monetare. Ndërsa, “artistet” tona e matin me klubet e natës ku ftohen të këndojnë, më së shumti me ‘playback’.
Por më tej akoma, njëra prej tyre shpalosi një tjetër arsye, sipas së cilës xhelozia nuk kishte të bënte me artin, por me një mashkull, i cili dikur ishte i dashuri i njërës, dhe sot është burri i tjetrës. Nëse edhe kjo është një ndër arsyet e zënkës, atëherë përsëri kemi të bëjmë me një arsye edhe më të turpshme. Dy femra që e përulin aq shumë veten e tyre, saqë zhgërryhen duke u kapur për flokësh për një mashkull, i cili kushdo qoftë, nuk e meriton të zihesh për të.
Mund të ketë edhe shkaqe të tjera, të cilat nuk janë zbuluar ende nga protagonistet e ringut artistik të kryeqytetit, por është e sigurt se asnjë ofendim, sharje, fyerje apo çfarëdolloj akuze tjetër, nuk duhet ta shpjerë një femër të qytetëruar, e që për më tepër i thotë vetes artiste, të arrijë në shfaqje të tilla të rrugaçërore.
Nga sa thamë më sipër, lehtësisht arrijmë në përfundimin se nuk ka rëndësi se kush është sebepi i zënkës, sepse për këtë janë të dyja fajtore. Është fajtore njëra palë si nismëtare e sherrit. Dhe është fajtore pala tjetër, sepse nuk ka pasur aftësinë të ngrihet mbi një debat të tillë turpërues, dhe e ka lejuar veten të përfundojë në faqet e gazetave. Madje, ndërsa shohim akuzat e rreshtuara së fundmi, kuptojmë se dy “artistet” qenkan të të njëjtit brumë, duke na kujtuar disa vargje të popullit:
Dy të zgjuar nuk zihen kurrë.
As një i zgjuar dhe një i marrë.
Po u bënë bashkë dy të marrë.
Bëni gati zinxhirë e litarë.
Ndoshta këtë duhet të bëjmë me këta pseudoartistë: t’i lidhim (në mënyrë figurative flas), e sa më shpejt t’i largojmë nga skena e artit, sepse nuk e meritojnë atë, sepse në vend që të na përsosin shijen artistike, po na e zbërdhulin atë.
Artistet në fjalë nuk e kanë kuptuar akoma, se arti qëllimin kryesor nuk ka argëtimin, por ka përcjelljen e mesazheve, ka përsosjen e shijeve, ka edukimin e brezave, ka thellimin e ndjenjave, duke na bërë më të bukur, më të ndjeshëm, më të zgjuar. Por, për sa kohë do të lejojmë të ngjisim artistë të tillë në skenat tona, do të na duhet të presim akte edhe më të turpshme sesa kaq.