Sëmundjet e seksit, 83% e shqiptarëve të painformuar
Shqiptarët janë të painformuar për rrezikun e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme (SST). Kjo ka rezultuar nga studimi i Institutit të Shëndetit Publik. Sipas të dhënave të këtij studimi, 83% e personave që janë analizuar në maternitete, qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” dhe klinika private nuk kanë informacionin e duhur për pasojat e rënda që mund të shkaktojnë këto sëmundje për shëndetin e tyre. Kështu rreth 55% e të anketuarve nuk e di se ku të drejtohen për t’u ekzaminuar ndërsa në 47% të rasteve partneri edhe pse mbartës i një prej sëmundjeve seksualisht të transmetueshme nuk ka pranuar të kurohet. Grupmosha që paraqitet më shpesh në spitalet publike dhe klinikat private me mbi 70% të rasteve është ajo nga 21-30 vjeç, ndërkohë që pas të 30-tave vjen në ulje numri i femrave dhe meshkujve që vizitohen për këto probleme. Veç kësaj rreth 29% e të prekurve nga (SST) nuk kanë mundësi ekonomike për të blerë medikamentet e trajtimit. Ky fakt dëshmon qartë se sëmundja e tyre në këto kushte përkeqësohet dhe në jo pak raste jo vetëm që i kushton atyre marrëdhënien në çift, por mund t’u rrezikojë edhe jetën. Më shumë se gjysma e të anketuarve kanë pohuar se në rast se nuk do të paguanin për trajtimin dhe ekzaminimet do të ishin më të predispozuar për t’i kryer ato. Por krahas kësaj në rast se mjekët dyshojnë për invektimin e pacientëve për këto sëmundje në 40 % të rasteve ata i drejtojnë pacientët në laboratorët privatë për të vijuar analizat. Çka tregon që një pjesë e tyre heqin dorë në pamundësi për të paguar faturat e kripura për këto ekzaminime.