"Ilaçet s‘mund të shiten si produkte ushqimore"
Projektligji aq i përfolur i tregtimit "Për barnat dhe shërbimin farmaceutik" është kundërshtuar nga grupet e interesit. Pas miratimit në parim të draftit nga Komisioni Parlamentar i Shëndetësisë, ka reaguar Urdhri i Farmacistëve në emër të grupeve të interesit dhe profesionistëve që aktualisht tregtojnë barna në bazë të ligjit aktual. "Ky projekt kaq shumë i kundërshtuar nga aktorët e shërbimit farmaceutik ka pësuar disa ndryshime të vogla nga projekti i miratuar në qeveri vetëm për sa i përket barit, duke bërë që të sigurohet një farë garancie dhe rrugën e qarkullimit të tij nga prodhuesi deri te përdoruesi. Shërbimi farmaceutik, nëpërmjet këtij projekti ndryshimesh, po çon drejt degradimit drejtimin profesional", ka deklaruar zyrtarisht Urdhri i Farmacistëve. Sipas këtij sektori, licencimi i farmacistëve dhe farmacive, nga një institucion vendor jo profesional, përbën për këtë shërbim, modelin më të keq që ka pasur ndonjëherë shërbimi farmaceutik, kaq i rëndësishëm për shëndetin e njeriut. "Liberalizimi i tregtimit të barnave është një iniciativë e marrë nga një grup Task Force, më në krye Ministrinë e Ekonomisë, të cilët, të bazuar në kriteret e tregtisë së lirë, të rekomanduara nga OBT-ja, e shtrijnë sferën e veprimit të këtyre kritereve edhe në fushën e shëndetësisë, duke e krahasuar importimin e barnave njëlloj si me atë të domateve dhe se kontrollin e barnave e të shërbimit farmaceutik mund ta bëjë edhe një strukturë e paspecializuar. Ndërkohë që janë të përcaktuara qartë në direktivat e OBSH-së dhe Komunitetit Evropian rregullat e prodhimit, qarkullimit, kontrollit të barnave dhe të shërbimit farmaceutik", sqaron Arjan Jaupllari, kreu i Urdhrit të Farmacistëve. Komisioni i Shëndetësisë ka miratuar parimisht projektligjin e ndryshuar për "Barnat dhe shërbimin farmaceutik". Në një tjetër mbledhje, komisioni do të diskutojë ndryshimet e përgatitura nga stafi i ministres së re, Anila Godo, nen për nen. Ndryshimet kryesore që janë risjellë dje në komision për sa i takon "markatës" së farmaceutikës janë liberalizimi i tregut dhe vendosja e kontrolleve në dogana. Risia e këtij projektligji është heqja e lejes së importit dhe njëkohësisht edhe e monopoleve të furnizimit me barna. Sipas ndryshimeve të propozuara dje në komision, inspektorët farmaceutikë, në rast se vërejnë kundërvajtje administrative urdhërojnë pezullimin e veprimtarisë, heqjen e licencës. Inspektorët farmaceutikë bëjnë bllokimin dhe konfiskimin e barnave, në rastet e shkeljeve që përcaktohen në këtë ligj.