"Vrasja masive", Delijorgji apelon vendimin
Akuza e re e komunikuar nga Prokuroria e Përgjithshme, si dhe masa e "arrestit me burg", e vendosur pak ditë më parë nga ana e Gjykatës së Tiranës, janë apeluar nga Delijorgji dhe Minxholli. Nëpërmjet avokatit të tyre, Mihal Delijorgji, ish-administrator i "Albademil", si dhe Dritan Minxholli, ish-drejtor teknik në fabrikën e Gërdecit, kanë kundërshtuar masën e marrë nga gjykata. Revokimi i vendimit është depozituar dy ditë më parë në Gjykatën e Apelit të Tiranës dhe pritet që të shqyrtohet në ditët në vazhdim. Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxholli, dy javë më parë, janë njohur me akuzën e re të ngritur nga Prokuroria e Përgjithshme: atë të "vrasjes në rrethana të tjera cilësuese më shumë se dy personave", "rrezikshmërisë së jetës së më shumë se dy personave dhe rrezikshmërisë së jetës së shumë personave të tjerë", vepra penale këto të kryera në bashkëpunim. Për këtë akuzë të re, pas kërkesës së bërë nga prokuroria, gjykata ka vendosur masën e sigurisë "arrest me burg", duke shtyrë edhe 6 muaj të tjera hetimet në ngarkim të tyre.