E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria fshehu vendimet për "Gërdecin"

Asnjë vendim i qeverisë për trajtimin financiar të familjeve të prekura nga tragjedia e Gërdecit nuk është botuar në Fletoren Zyrtare. Gjatë vëzhgimit të kryer në Qendrën e Publikimeve Zyrtare-QPZ, mësohet fakti se VKM-të e miratuara nga qeveria nga data 18 mars deri më 11 qershor 2008, nuk janë të dokumentuara në QPZ, duke u hequr të drejtën e fuqisë ligjore, por edhe të mosnjohjes së vendimeve. Një burim brenda QPZ-së shprehet se VKM-të për Gërdecin kanë hyrë në fuqi menjëherë pas miratimit të tyre nga qeveria, duke shmangur kështu afatet që parashikon botimi i tyre në Fletoren Zyrtare. Pavarësisht kësaj, ligji nr. 9000, neni 29, "Hyrja e akteve në fuqi", sqaron se edhe "vendimet që hyjnë në fuqi menjëherë duhen botuar në Fletoren Zyrtare", duke i dhënë mundësi të interesuarve që të njihen me VKM-të. Skandali i radhës u zbulua pas ankesave që një pjesë e familjeve të prekura nga tragjedia kishin ndaj procesit të shpërndarjes së fondeve për dëmshpërblim. Gjatë këtij procesi, janë konstatuar raste të pabarazisë dhe për ta ankimuar atë në gjykatë, një personi i duhet patjetër të njohë gjykatësin me vendimin e qeverisë, të cilat nuk gjenden në Fletoren Zyrtare. Madje, dy VKM të tjera, 277 dhe 315, të miratuara në datat 18 dhe 21 mars, pak ditë pas tragjedisë, nuk gjenden as në faqen zyrtare të Kryeministrisë, ndërsa 6 VKM të tjera janë publikuar, por jo në Fletoren Zyrtare. Vendimet lidheshin me dhënien e ndihmave financave për familjet, shtëpitë e të cilave u shkatërruan nga shpërthimi i fabrikës së municioneve, si dhe me fondet e akorduara nga buxheti i shtetit për ndërtimin e 4000 objekteve.

Misteri

Nuk dihet tamam, se cili ka qenë qëllimi i qeverisë për fshehjen e vendimeve për familjet e Gërdecit, por avokati, që mbron një pjesë të të prekurve, sqaron se, "kjo e bën punën më të vështirë për familjet që nuk kanë përfituar trajtim financiar, ashtu sikurse e përcaktonin VKM-të që nuk gjenden". Fakti që vendimet hynin në fuqi menjëherë, kjo nuk do të thotë se nuk duheshin publikuar në Fletoren Zyrtare, pasi kështu e thonë ligjet nr. 8502 dhe 9091. Sipas avokatit Andi Kananaj, "në Fletoren Zyrtare është e detyrueshme të pasqyrohet data e daljes së saj, si dhe VKM me numrat përkatës, në të kundërt publikimi nuk sjell pasojë juridike".

Dëmi

Tragjedia e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona nga shpërthimi i fabrikës së municioneve, i ka kushtuar qeverisë plot 30 milionë dollarë. Shifra doli nga vlerësimi përfundimtar i bërë nga Enti Kombëtar i Banesave përreth 6000 objekte të dëmtuara nga shpërthimi i fuqishëm më 15 mars të fabrikës, ku demontoheshin fishekët. Pas shpërthimit të fabrikës së municioneve, më 15 mars 2008, qeveria mori një vendim më 21 mars (cili nuk është publikuar nga QPZ) për evidentimin dhe vlerësimin e dëmit të shkaktuar në zonën e Bashkisë Vorë, në komunat Kashar dhe Prezë, të Qarkut të Tiranës dhe në komunat Maminas, Manzë dhe Bubq të Qarkut të Durrësit. Pas verifikimit të dëmit rezultoi se ishin prekur edhe 2382 objekte të tjera, mes tyre rreth 500 biznese, vlera e të cilave shkonte në rreth 550 milionë lekë. Fatura e dytë që duhet të paguante qeveria për objektet shtesë të verifikuara rrinte në rreth 1 miliardë lekë, duke e çuar koston përfundimtare në rreth 2,4 miliardë lekë.

Ligji, Nr. 9000, datë 30.1.2003

Për Organizimin dhe Funksionimin

e Këshillit të Ministrave

Neni 29

Hyrja në fuqi e akteve

1. Aktet normative, me fuqinë e ligjit, të Këshillit të Ministrave botohen menjëherë në Fletoren Zyrtare.

2. Vendimet e Këshillit të Ministrave marrin fuqi juridike pas botimit në Fletoren Zyrtare. Për vendimet me karakter normativ mund të caktohet si datë hyrjeje në fuqi një datë tjetër nga ajo e botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa vendimet me karakter individual hyjnë në fuqi menjëherë, por botohen në Fletoren Zyrtare.

3. Udhëzimet e Këshillit të Ministrave dhe të ministrit marrin fuqi juridike pas botimit në Fletoren Zyrtare.

4. Urdhrat e Kryeministrit, të ministrit ose të drejtuesit të institucionit qendror, në varësi të Kryeministrit ose të ministrit, hyjnë në fuqi menjëherë, u njoftohen të interesuarve dhe shpallen, për të paktën 3 ditë, në një vend të dukshëm të institucionit përkatës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›