E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mes gjelbërimit dhe liqenit të "tharë"

Jo vetëm me raste festash mund të shkosh për vrap, për ecje të lirë, shëtitje, apo edhe për të marrë pak ajër të pastër. Nëse koha është e mirë dhe me diell mund të dalësh për peshk, të bësh banjo dielli, apo të heqësh këpucët e të pushosh në qetësi dhe në mes të gjelbërimit. Nënat e reja përfitojnë për të shëtitur me karrocë fëmijët e vegjël, ndërsa gjimnazistët bëjnë xhiron e gjatë në ditët me më pak ngarkesë mësimore. Të moshuarit shëtisin me shokët dhe shoqet, por edhe me nipërit e mbesat. Fjalosen të ulur nëpër stola, apo edhe në mes të barit. Ecin pak dhe në fund e mbyllin me ndonjë kafe, apo ushqim të shpejtë. Fëmijët luajnë, vrapojnë, ndërsa prindërit janë të qetë nga makinat apo motorët. Ata flasin, bisedojnë, ndërsa fëmijët e tyre ndodhen në një mjedis me gjelbërim dhe thithin ajër të pastër. Në Liqenin Artificial, pjesa që konsiderohet dhe si mushkëria e kryeqytetit, prehen të gjithë ambientalistët, sportistët, admiruesit e natyrës dhe qetësisë. Mes pemëve, stolave, apo lokaleve të këtij parku, kryeqytetasit gjejnë alternativën për të mbushur në mënyrë të kënaqshme orët e tyre të lira, mëngjeset, apo pasditet. Gjithmonë e më shumë, hapësira e Liqenit Artificial është duke u "rrudhur", madje edhe një pjesë e mirë e liqenit është tharë si pasojë e keqpërdorjes nga dora e njeriut. Pavarësisht kësaj, Liqeni Artificial ende nuk e ka humbur magjinë e vet dhe pret në hapësirat e tij të gjithë dashamirësit e natyrës, pacientët që mjeku u ka këshilluar ajër të pastër, apo qytetarëve që duan të humbasin disa kilogramë nga pesha e tyre.

Mëngjeset në Liqenin Artificial janë pak të freskëta, por edhe të populluara. Kryesisht ka sportistë që dalin për vrap apo ecje sportive. Mes tyre në bar mund të gjesh edhe ndonjë qytetar që e ka tepruar me pijen e është gdhirë në natyrë, lypës, apo ndonjë i pastrehë që nuk ka çati se ku të fusë kokën, veçse pemëve të liqenit. Rrugët se ku bëhet vrapi janë të njohura, duke përfshirë këtu edhe digën e liqenit. Mëngjeseve të verës, sportistë të kalitur, veç vrapit, praktikonin edhe notin në liqen, por kohët e fundit këta notarë janë të rrallë. Në xhiron e mëngjesit gjen edhe nga ata që ecin me biçikletë, ose nga ata që pasi bëjnë vrap, prishin rregullat sportive dhe pinë ndonjë cigare. Për ata që kanë kohë, shëtitja e mëngjesit mbaron me një kafe në natyrë, ndërsa ata që s‘kanë kohë, rendin për të shkuar në punë dhe për të ndjekur aktivitetet e tjera të ditës. Për më shumë duhet thënë se vrapi, apo xhirot nga liqeni janë dhe një mënyrë për të bërë njohje të reja. Pas orës 09.00, pak e nga pak liqeni mbushet me të moshuar, gjyshër, nëna të reja që shëtisin fëmijët, nipër e mbesa, apo edhe me qytetarë që e kanë shtëpinë aty afër dhe përfitojnë nga rasti për ta pirë kafen në qiell të hapur.

Më shumë se sa kaq, pas orës 13.00, gjimnazistët nuk kanë harruar të organizojnë shëtitje nga liqeni, të hedhin çantat me libra dhe të ulen këmbëkryq të flasin për dëshirat e tyre, të dëgjojnë muzikë apo të qeshin me zë të lartë. Pakkush do të kishte besim që nga liqeni shkohet edhe për peshk. Madje shumë pak njerëz janë të mendimit se në Liqenin Artificial jetojnë peshq. Por, në fakt, mjaft nga ata që e kanë pasion peshkimin vazhdojnë të provojnë të kapin peshk me grep. Pranë tyre qëndron edhe ndonjë "fanatik" i nxirjes natyrale, që përpiqet të marrë sadopak nga rrezet e ngrohta të diellit. Në ngjitje rruga nga liqeni të duket pak e lodhshme, por në zbritje këmbët ecin vetë dhe udha bëhet më pak e mundimshme. Qytetarët janë të mendimit se Liqeni Artificial duhet të punohet dhe të mirëmbahet nga dora e njeriut. Parku ndihmon të gjithë qytetarët me një mjedis të pasur dhe peizazh qetësues. Por liqenin duhet ta mbrojmë nga lavazhet e paligjshme që thajnë ujin e tij, nga keqpërdoruesit e këtij burimi dhe nga papastërtitë që hidhen aty dhe dëbojnë larminë e botës ujore. Për ndërtimet dhe investimet me beton, llaç, tulla dhe gëlqere, specialistët duhet të mendojnë në mënyrë kritike dhe të përllogarisin të gjitha kostot mjedisore për qytetarin, pavarësisht të mirave të tjera që mund të sjellin ato.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›