E Diel, 1 Nëntor 2026

"I plotësuam 3 kushtet, presim liberalizimin"

Ministri i Brendshëm raportoi dje në Komisionin e Sigurisë për vizat dhe kriminalitetin

Shqipëria pret një përgjigje pozitive për liberalizimin e vizave të qytetarëve nga ana e Komisionit Europian. Kjo ishte deklarata që bëri dje ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Sigurisë. Sipas Bashës, Shqipëria i kishte përmbushur tri kushtet shtesë të vendosura nga KE-ja dhe ishin të gjitha shanset që shqiptarët të përfitonin këtë vit lëvizjen e lirë. Ministri i Brendshëm deklaroi se garanci për plotësimin e këtyre kushteve ai ka marrë edhe nga ekspertët e KE-së, të cilët inspektuan nga afër punën e strukturave të ministrisë një javë më parë. “Ne presim vlerësimin zyrtar të 
ekspertëve dhe të komisionit për plotësimin e këtyre tri kushteve. Në takimet që unë kam pasur me zyrtarë të lartë të Komisionit për Punët e Brendshme, më është komunikuar se ka një vlerësim pozitiv për hapat që Shqipëria ka hedhur në plotësimin e këtyre tri kushteve”, theksoi ministri Basha. Në mënyrë të qartë ai theksoi se personalisht ishte i bindur se në të tria kushtet Shqipëria kishte përmbushur në mënyrë të plotë detyrimet dhe madje i kishte tejkaluar ato. Si fillim Basha theksoi se Shqipëria kishte arritur të përmbushte detyrimin e saj për zhvillimin e një strategjie dhe politikave për riintegrimin e të riatdhesuarve. Po kështu, në lidhje me dy kushtet e tjera, që kanë të bëjnë me forcimin e kapaciteteve të organeve ligjzbatuese në luftë kundër krimit të organizuar e korrupsionit dhe zbatimin e kuadrit të ri ligjor për sa i përket konfiskimit të aseteve kriminale, qeveria po punon në mënyrë të pandërprerë. Në lidhje me kushtin e parë, Basha theksoi se në këtë moment, jo vetëm që strategjia dhe politikat për riatdhesimin janë zhvilluar, por në çdo cep të Shqipërisë, në çdo postë kufitare, në çdo sportel të migracionit, ka një efektivitet të plotë të nëpunësve të shtetit për sa u përket këtyre politikave. Nga ana tjetër, lufta ndaj krimit e korrupsionit dhe konfiskimi i aseteve kriminale, sipas Patozit, ishte çdo ditë në fokus të Policisë së Shtetit dhe strukturave të tjera të shtetit. “Dua të siguroj komisionin në emër të Ministrisë së Brendshme, duke përsëritur angazhimin e të gjitha strukturave të tjera se në këto dy fusha puna nuk ndalon me heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë”, deklaroi Basha. Sipas tij, shifrat për Shqipërinë nuk flasin për rritjen e kriminalitetit dhe raportet ndërkombëtare tregojnë një përmirësim të kësaj situate për sa i përket vendit tonë. “Ky nuk është një proces i trukuar, por i vërtetë, në bazë të të cilit qëndron një angazhim i përhershëm i institucioneve shqiptare për përmirësimin e mëtejshëm të rekordit tonë në luftën kundër krimit e korrupsionit dhe për zbatimin efektiv të kuadrit ligjor për konfiskimin e pasurive e aseteve kriminale”, siguroi ministri Basha. Tashmë pritet që në muajin shtator, Komisioni Europian të përgatisë raportin e tij për vizat me Shqipërinë dhe në muajin nëntor ky raport i kalon për miratim Këshillit të Ministrave të Brendshëm të BE-së dhe Parlamentit Europian.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›