Minxolli: Gërdeci u “bekua"nga krerët e ushtrisë
Ish-drejtori i fabrikës së demontimit të predhave tha se dy ish-drejtuesit më të lartë të ushtrisë shqiptare, Luan Hoxha dhe Shpëtim Spahiu, kanë vizituar Gërdecin në maj dhe qershor të 2007. Minxolli: Do të tregoj fajtorët e vërtetë të Gërdecit!
Leonard Bakillari
I rebeluar nga dëshmia e një prej rojeve të fabrikës që ai dikur drejtonte, Dritan Minxolli ka folur për herë të parë për “bekimin” që krerët më të lartë të ushtrisë shqiptare i dhanë Gërdecin. Vizita e ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha dhe zëvendësit të tij, Shpëtim Spahiu, në fabrikën e demontimit të predhave është përdorur nga Minxolli si një argument i fortë për të treguar se dy ushtarakët e lartë nuk kanë vënë re asnjë problem në fabrikën që drejtohej prej tij. Po në këtë deklaratë, ish-drejtori ekzekutiv i fabrikës së demontimit të predhave ka tentuar të rrëzojë dëshminë e njërit prej rojeve, Beqir Prini, i cili ka deklaruar se puna në Gërdec ka nisur që në muajin shkurt të vitit 2007, ndërsa vendimi i qeverisë që i hapte rrugë biznesit vdekjeprurës është marrë një muaj më vonë. Por sipas Minxollit, puna reale për ndërtimin e Gërdecit dhe vënien në funksionim të fabrikës ka nisur pas urdhrit nr. 550 datë 25.04.2007 të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Menjëherë pas këtij urdhri, kompanitë “SAC” dhe “Albademil” kanë nisur nga puna, ndërsa vetëm një muaj më vonë, në Gërdec ka shkuar për vizitë ish-komandanti i Forcës së Bashkuar, Shpëtim Spahiu. Pasi tij, ka qenë gjeneral Luan Hoxha, ai që ka vizituar fabrikën e demontimit të predhave dhe sipas Minxollit, ushtaraku i lartë nuk ka ngritur asnjë problem. Në fund të deklaratës së tij, Dritan Minxolli paralajmëroi se seancën e ardhshme do të publikojë emrat e personave, që sipas tij, janë përgjegjësit e vërtetë për shpërthimin tragjik të Gërdecit. Pas shpjegimeve të Minxollit, procesi gjyqësor ndaj 29 të pandehurve të akuzuar si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit ka vazhduar me pyetjen e dëshmitarëve, kryesish ish-punëtorë të fabrikës së demontimit.
Shpjegimet e Minxollit
“Po bëj këtë deklaratë për të sjellë para jush disa fakte, të cilat provojnë një të vërtetë, e cila u provua të shtrembërohej nga dëshmitari Beqir Prini. Ky dëshmitar nëpërmjet deklaratës së tij para trupit gjykues, ka lënë të kuptohet se punimet për ngritjen e fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdecit kanë filluar në muajin shkurt të vitit 2007. Deklaroj se kjo është një gënjeshtër, e cila ka shkaktuar zhurmë mediatike, duke inskenuar skenarë të paqen dhe duke hedhur baltë mbi kompanitë “SAC” e “Albademil”. Përfaqësuesit e kompanive “SAC” e “Albademil” janë paraqitur në repartin ushtarak në Gërdec për herë të parë më datë 28.04.2007, bazuar vetëm në urdhrin e ministrit të Mbrojtjes nr. 550, datë 25.04.2007, i cili në pikën numër katër të tij saktëson qartësisht si më poshtë: “Procesi i çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve të bëhet në ambientet e reparteve të forcave të armatosura, në kushte të rrepta vëzhgimi dhe sigurie”. Gjeneral Shpëtim Spahiu ka vizituar në maj të vitit 2007 vendin ku po ngrihej fabrika brenda repartit ushtarak, dhe nuk ka ngritur asnjë problem. Në të njëjtën linjë është dhe nënoficeri Nazmi Shera, kur në deklarimet e tij thotë se në momentin e instalimit të makinerive të demontimit të fabrikës, reparti është vizituar edhe nga ish-shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, Luan Hoxha. Kjo vizitë është kryer në qershor të vitit 2007 dhe sërish ky ushtarak i lartë nuk ka ngritur asnjë problem. Nisur nga situata e krijuar pas seancës së fundit, nga sa thashë më lartë dëshiroj të saktësoj se kompania “SAC-Albademil” është paraqitur fillimisht në prill dhe ka filluar punë në ambientet e repartit ushtarak në Gërdec vetëm në maj të vitit 2007. Puna në fabrikë ka nisur krejtësisht në mënyrë të rregullt dhe të ligjshme, në përputhje me urdhrin e ministrit të Mbrojtjes. Strukturat e Forcave të Armatosura kanë qenë dhe janë vënë në dijeni të plotë të aktivitetit që fabrika do të kryente dhe janë këta të fundit që dhanë dritën jeshile për ngritjen e kësaj fabrike në Gërdec. Gjithashtu ju sjell në vëmendje, se një shoqëri për private sigurie ka kontraktuar për llogari të fabrikës sonë dy punëtorë roje. Këta dy roje ishin Beqir Prini, i cili e la punën pas tre muajsh dhe Ibrahim Kola.
Dëshmitarja
“Bashkëshorti ka debatuar me drejtuesit e fabrikës për karrocat”
Afërdita çanga, bashkëshortja e një prej ushtarakëve të punësuar në Gërdec për instruktimin e punonjësve që do të kryenin proceset e çmontimit dhe çmilitarizimit të predhave, ka rrëfyer dje në gjykatë kushtet e vështira të sigurisë dhe ankesat e të shoqit për ndërrimin e shpeshtë të punëtorëve në fabrikën e demontimit. Po sipas dëshmitares, i shoqi që humbi jetën nga shpërthimi tragjik i 15 marsit të vitit 2008 i ka treguar se vazhdimisht debatonte me drejtuesit e fabrikës së Gërdecit për vendosjen e mjeteve kundra zjarrit në ambiente e brendshme, si dhe për rrotat e karrocave që transportonin barutin, të cilat sipas tij, nuk duhet të ishin prej hekuri. “Bashkëshorti im ka qenë një prej ish-ushtarakëve dhe ka punuar në strukturat e çminimit. Ai si shumë të tjerë u prek nga reforma në vitin 2007 dhe ngeli pa punë. Nga një shoku i tij dëgjoi për fabrikën e Gërdecit dhe u punësua aty si specialist për rregullat e sigurisë teknike. Detyra e tij ishte të instruktonte punëtorët e fabrikës. Kur filloi punë në fabrikë, ai lidhi një kontratë pune dhe kishte një pagesë prej 90 mijë lekësh. Kontrata e tij e punës është firmosur nga Dritan Minxolli. Bashkëshorti më është ankuar shpeshherë për faktin se punëtorët ndërroheshin shumë shpesh dhe ai detyrohej që të niste nga e para punën. Shpesh më thoshte se në fabrikë mungonin kushtet e sigurisë dhe se ajo nga momentinnë moment mund të shpërthente. Më kujtohet një rast tjetër, kur bashkëshorti më tregoi se kishte debatuar me Sokol Ngjeçin dhe kishte arritur t’i bindte që në muret e fabrikës të vendoseshin zjarrfikëse. Një problem tjetër për burrin tim kanë qenë edhe karrocat e transportit të barutit. Sipas tij, gomat e rrotave nuk duhet të ishin prej metali, pasi duke u fërkuar me barutin, ato përbënin rrezik për shkëndija zjarri. Javët e fundit të punës burrin e caktuan që të merrej me instruktimin e grupeve që hapnin arkat e municioneve. Bashkëshorti im ka qenë komandant i demontimit të armëve në të gjithë vendin. Ai më ka treguar se të gjithë mjetet e punës në fabrikë kanë qenë shumë primitive dhe ishin një rrezik për të prodhuar shkëndija. Disa herë bashkëshorti më ka thënë se fabrika ishte një rrezik shpërthimi në çdo çast. Ditën e ngjarjes burri im ishte në fabrikë. Më ka ardhur vajza e vogël te puna dhe me të kam shkuar në të gjithë spitalet. Trupin e tij të vdekur e kam gjetur në morg rreth orës 21:30 të darkës.