Kush i studion fenomenet sociale?
Gëzim TUSHI
Pavarësisht debateve për të përcaktuar pozicionin e shoqërisë shqiptare, nuk është e vështirë të kuptohet se ajo është ende në valët e periudhës së vështirë të “pos-tranzicionit”. Kjo situatë ka problemet e veta, në shumë këndshikime, ndaj shoqëria shqiptare është e “detyruar” të përballet dhe ballafaqohet me dukuri sociale, të panjohura, tepër intensive, të cilat kanë nevojë të studiohen nga pikëpamja sociologjike. Fenomenet politike, dukuritë sociale, prirjet dhe anomalitë e zhvillimit të shoqërisë tonë, kërkojnë një angazhim më cilësor të mendimit sociologjik, për studimin e thelluar dhe jo të sipërfaqshëm të shkaqeve, jo thjesht për qëllime studimore, por për të rritur kapacitetet parandaluese dhe rehabilituese të shtetit dhe shoqërisë, për të vënë në “normalitet demokratik” jetën tonë sociale. Në këtë kontekst shoqëria ka të drejtë që të ketë kërkesa dhe pretendime për shkencat sociale, për mendimin sociologjik shqiptar. Nuk është tani koha për studime të thjeshta, përshkrime narativo empirike të realitetit, apo studime teorike si “qëllim në vetvete”. Fenomenet me të cilat përballet shoqëria shqiptare në ditët e sotme, duan studime të thelluara, gjithëpërfshirëse, në pikëpamje sasiore dhe cilësore.
Situata sociale në vendin tonë, është ndoshta në “pikën më të vështirë” të transformimit, jo vetëm politik dhe demokratik, por dhe të ndryshimeve individuale, të strukturave sociale, të realiteteve dhe mentaliteteve të së kaluarës. Ajo ka shtruar para shkencave sociale, imperativin për studime komplekse të dukurive të jetës personale dhe sociale, në familje, shkollë, në komunitetin qytetar. Jo thjesht për të bërë “përshkrime faktesh”, por analiza, prognoza, ofrim ofertash, për të ndryshuar dhe përmirësuar realitetin social. Akoma më shumë, detyrë e studimeve sociologjike është, që të interferojnë në esencën e fenomeneve të tranzicionit, duke penetruar midis fakteve të realitetit, për të bërë dallimin midis asaj “që është” nga ajo që “duhet të jetë”. Sociologjia teorike, por dhe sociologjitë konkrete: të familjes, shkollës, artit, fesë, moralit si dhe shkencat e tjera sociale me natyrë specifike, tashmë kanë detyrën dhe përgjegjësinë, të thonë fjalën e tyre me kompetencë. Mendimtari i shquar i kohës sonë, Izaiah Berlin mendon se në kohën moderne “sociologjia duhet mbështetur sepse ajo është shkenca e studimit të shkaqeve të dukurive shoqërore”. Në fakt, studimet sociologjike në Shqipëri nuk mungojnë. Ato kanë filluar të japin rezultatet e para, produkte teorike që i duhen kohës, shoqërisë dhe individit. Ato janë përpjekje për njohje të thelluar teorike e profesionale të dukurive sociale. Në fakt studimet sociologjike kanë jo vetëm vlera për njohjen dhe parandalimin e dukurive sociale dhe individuale me “natyrë devijante”, por ato kanë edhe një rëndësi të veçantë, për rregullimin e bashkëjetesës sociale, konsolidimin e moralit të shoqërisë shqiptare. Më së pari, studimet sociale duhet të drejtohen drejt problemeve me peshë me të cilat po përballemi cdo ditë. Këtë mision dhe detyrë të sociologjisë dhe studimeve shoqërore, sociologu Ralf Dahrendorf, e lidh me faktin se “sociologjia ka aftësi të formulojë teori dhe hipoteza që e ndihmojnë njeriun të ecë në rrugën e qëllimeve të vetzgjedhura”.
Të gjithë këto vite të tranzicionit, të kalimit nga diktatura në liri, janë vite të përmbysjeve të mëdha konceptuale, morale dhe sociale, që kanë ndryshuar “konceptimin e botës”. Shoqëria shqiptare nuk është më ajo që ka qenë, por as njeriu si qenie sociale, nuk ka më asgjë të ngjashme me njeriun e dikurshëm. Shoqëria e mbyllur, e kuadratuar, e determinuar në të gjithë pikëpamjet, deri në qelizën e fundit të saj, tashmë është bërë më e lirë, e hapur, por në të njëjtën kohë më e papërcaktuar. Nga një shoqëri e rregulluar tërësisht në “kafazin totalitarist”, është kaluar në një shoqëri moderne, që shfaqet me natyrë kaotike, të pastrukturuar, madje deri në disa nuanca evidente të “anarkizmit social”. Në se në të kaluarën njeriu si pjesëtar i shoqërisë kolektiviste, ishte i detyruar të ndiqte “trajektoren drejtvizore” të shoqërisë, tashmë kemi përballë një njeri, që duke qenë i lire, ka tentativë t’i largohet çdo kondicionimi social. Nga një njeri “atom” i ingranazhit social kolektiv, i shoqërisë së hiperkolektivizuar, holiste, tashmë po shfaqet tejet individualist, i dhënë tërësisht pas kënaqësive fizike e materiale, hedonist, antikonformist, që nuk pranon më asnjë rregull social në plotësimin e identitetit personal, të “lirisë” së tij. Njeriu i dikurshëm ideologjik, social, familjar po zëvendësohet nga një “njeri tjetër”, pragmatist në bindje, utilitarist në moral. Jetojmë në një shoqëri, e cila e ka të vështirë të caktojë “piketat sociale” të rrugës së saj. Në vend të tyre, tashmë është njeriu që nuk beson më në asgjë, që nuk do të ketë mbi vete askënd, asnjë ideologji, moral doktrinarist, determinim social kolektivist. Tani kemi nevojë për studime të thelluara, komplekse, intergrale. Është koha jo e indiferentizmit dhe e vështrimit pasiv të dukurive të jetës individuale dhe shoqërore, por koha e fjalës, mendjes, penës dhe kontributeve studimore të sociologëve shqiptare, për të vlerësuar nga pikëpamja sasiore dhe cilësore këto dukuri, duke e ndihmuar shoqërinë në rrugën e mundimshme dhe të vështirë të “vetëkorrigjimit” të saj. Duhen ngritur dhe mbështetur strukturat studimore, që duhen për të shpjeguar dukuritë sociale komplekse, për të vlerësuar kurbën, prirjen e ndryshimit, për të ndikuar në riorientimin social të lëvizjes drejt modernitetit shoqërinë dhe njerëzit tanë, për të ndikuar në përpunimin e rregullave të reja të komunikimit, të bashkëjetesës sociale, duke ndarë atë që është individuale nga ajo që është sociale, atë që është “private” për jetën e njeriut, nga ajo që përbën “interes publik”. Shoqëria shqiptare tani është në “valën më të nxehtë” të “stratifikimit të vlerave”. Nuk ka kohë më të përshtatshme dhe “truall studimor” më të mire, për sociologjinë dhe studimet sociale. Studimet sociologjike po kalojnë një “klimë të re” në Shqipëri. Megjithëse me përvojë të pakët, ati i kanë dhënë “frutet e para” dhe gjithsesi, jo me cilësi të keqe. Por tashmë problematika sociale është zgjeruar dhe intensifikuar, pasi janë me qindra dukuri dhe probleme sociale që shfaqen të komplikuara, dikotomike, “enorme”, të befasishme, devijante, të cilat kanë nevojë që të studiohen në tërësinë e tyre. Efektet e studimeve sociale nuk janë vetëm teorike. Mbase duhet të synojmë sa të jetë e mundur më shumë, për t’u dhënë studimeve tona, ndikim me spektër të madh social, në proceset e bashkëngjitura të parashikimit, prognozës, parandalimit, deri tek mundësia e rekomandimeve, me efekt social terapeutik. Këtë fuqi të studimeve sociale, këtë aftësi të veçantë investigative të sociologëve, të organizuar në grupime e struktura profesionistësh, shoqëria po e pret si kontribut “sui generis” të tyre…
21 Shkurt 2008