E Shtunë, 31 Tetor 2026

Terapia që ndikon në funksionimin e mirë të zorrëve

Shkencëtarët dhe mjekët pohojnë njëzëri se 90 për qind e sëmundjeve janë pasojë e mosfunksionimit të mirë të zorrëve dhe helmimit të vazhdueshëm të organizmit nga produktet e ndryshme. Sipas tyre, të gjitha sëmundjet “hyjnë” në organizmin e njerëzve nga goja, kur përdoren ushqime të papërshtatshme ose kur merren më tepër nga ç’duhet. Në këto raste stomaku dhe zorrët kthehen në një burim dhe rezervuar substancash toksike. Në zorrën e trashë ka raste kur grumbullohen deri në 10 kilogramë “mbetje”, që po të mos nxirren, mund të qëndrojnë atje për 20 vjet me radhë, duke e helmuar organizmin e njeriut me plot kuptimin e kësaj fjale. Sidomos pas moshës 40-vjeçare, ngaqë mbushet me mbeturina ushqimesh, zorra fillon të fryhet, zgjatet e deformohet, duke penguar edhe organet e tjera që të kryejnë mirë detyrat e tyre funksionale. Të gjitha këto çdo njeri mund t’i kuptojë nga sinjalet që fillojnë të japin vetë stomaku dhe zorrët.
Sinjalet
Nxirja e dhëmbëve, për shembull, është një nga sinjalet e para që tregon se në organizëm ka shenja “skoriesh”, sepse ju mungojnë vitaminat B dhe A, të cilat luajnë rol shumë të rëndësishëm në ruajtjen e shëndetit. Po kështu, duhet mbajtur parasysh se stomakun dhe zorrën e trashë i dëmtojnë rëndë edhe disa ushqime, sikurse dëmton nga ana tjetër edhe mungesa e fibrave. Më të rrezikshme për dëmtimin e zorrëve janë akulloret, kremrat, ajka e qumështit etj. Gjithashtu, disa ushqime të tjera shkaktojnë kapsllëk, si: të gjitha llojet e mishit, çokollatat, kakaoja, ëmbëlsirat, sheqeri, qumështi i lopës, vezët, buka e bardhë, pastat, tortat. Për çrregullimet që ndodhin në zorrë dhe në stomak jep sinjale të forta edhe lëkura. Kështu për shembull, nga përdorimi i tepërt i mishit, fillojnë të mbajnë erë këmbët, nga teprimet me ëmbëlsira dalin puçrra etj. Përballë kësaj situate çdo njeri ka mundësi që të vendosë rregull e pastërti në zorrët e tij, sidomos në zorrën e trashë. Së pari, zorrët mund të stimulohen në punën e tyre me anë të masazheve të jashtme. Një nga këto është “ngacmimi” i shputave të këmbëve, një mënyrë e thjeshtë kjo që stimulon të gjitha organet e rëndësishme, përfshirë edhe zorrën e trashë.
Klizma
Mënyra më e mirë për të pastruar skoriet dhe helmet nga trupi është klizma, e cila, sipas mjekëve të vjetër, e shpëton njeriun nga 80 për qind e sëmundjeve që kërcënojnë shëndetin e tij. Për të pasur një efekt sa më të mirë, është e dobishme që në ujin e ngrohtë të klizmës të hidhen disa pika lëng limoni ose uthull molle, pak permanganat dhe kamomil. Klizma është më mirë të bëhet në mëngjes. Parregullsitë e saj, zorra e trashë mund t’i sinjalizojë edhe me anë të dhimbjeve të kryqeve, të belit, nëpërmjet ashpërsimit dhe tharjes së lëkurës, rënies së fuqisë, dobësimit. Në këto raste këshillohet që klizma të bëhet me qumësht. Merren 100 gramë qumësht i ngrohtë dhe hidhen brenda 20 gramë gjalpë. Pas klizmës është mirë të qëndroni të shtrirë deri në momentin kur zorra e trashë kërkon të lirohet natyrshëm. Zakonisht, pas dy-tri procedurash të tilla, çdo gjë shkon në rregull. Kjo lloj klizme është më mirë të bëhet në mbrëmje.
Pastrimi i zorrës
Pastrim i zorrës së trashë mund të bëhet shumë mirë edhe me ujë mineral. Merret një sasi uji mineral (llogarit 70-100 mililitra për çdo 10 kilogram të peshës trupore) dhe ngrohet. Gjysma e sasisë duhet pirë në mëngjes, para buke dhe gjysma tjetër, pasi e ndahet në mënyrë të barabartë, pihet në drekë dhe në darkë, gjithmonë 15-20 minuta para ngrënies. Kjo kurë jep efekt të madh sidomos tri ditët e para, por duhet vazhduar deri në pastrimin e plotë. Doza mund të ulet dhe të pihet vetëm gjysma e sasisë për katër deri në gjashtë javë. Në ditët e para jashtëqitja mund të ketë ngjyrë të zezë, por më vonë çdo gjë normalizohet. Me këtë mënyrë, jo vetëm që rivendoset mikroflora e dëmtuar, por pastrohen edhe mëlçia, veshkat, rrugët urinare, ulet niveli i sheqerit në gjak, si dhe ai i kolesterinës. Mund edhe të dobësoheni. Pas kësaj kure do ta ndieni veten më mirë, do të përmirësohet gjumi dhe shëndeti në përgjithësi.
Ushqimi
Zorra e trashë punon më mirë në qoftë se ushqimi i përditshëm do të jetë i pasur me produkte që kanë fibra. Të tilla ushqime janë perimet, frutat, bollguri, krundet etj. Ato e “shkathtësojnë” zorrën e trashë. Nga perimet, më të vlefshme janë karota, panxhari, sallatat, lakra e bardhë. Kur vuani nga koliti, lakrën e bardhë është më mirë të mos e hani, por t’i pini lëngun. Për t’u mësuar, këtë lëng mund ta pini fillimisht së bashku me lëngun e karotës e pastaj karotën ta pakësoni gradualisht. 300 gramë lëng i lakrës së bardhë, thotë dietologu i njohur amerikan, doktor Wocker, i siguron organizmit tonë një sasi ushqimi organik që mund të krahasohet me 50 kilogramë ushqim të zier apo të konservuar. Mjaft të dobishëm janë në këtë rast vajrat me origjinë bimore, buka e zezë, mjalti, shalqiri, pjepri, rrushi, kumbullat. Ndërsa frutat e thata e dëmtojnë zorrën e trashë.

Box
Të dhëna
Rreth 90 për qind e sëmundjeve janë pasojë e mosfunksionimit të mirë të zorrëve dhe helmimit të vazhdueshëm të organizmit nga produktet e ndryshme.

Në zorrën e trashë ka raste kur grumbullohen deri në 10 kilogram “mbetje” që po të mos nxirren, mund të qëndrojnë atje për 20 vjet me radhë, duke e helmuar organizmin e njeriut.

Pas moshës 40-vjeçare zorra mbushet me mbeturina ushqimesh dhe fillon të fryhet, zgjatet e deformohet, duke penguar edhe organet e tjera që të kryejnë mirë detyrat e tyre funksionale
Nxirja e dhëmbëve është një nga sinjalet e para që tregon se në organizëm ka shenja “skoriesh”, sepse ju mungojnë vitaminat B dhe A, të cilat, luajnë rol shumë të rëndësishëm në ruajtjen e shëndetit.

Më të rrezikshme për dëmtimin e zorrëve janë akulloret, kremrat, ajka e qumështit etj., ndërsa disa ushqime të tjera, si: të gjitha llojet e mishit, çokollatat, kakaoja, ëmbëlsirat, sheqeri, vezët, buka e bardhë, tortat shkaktojnë kapsllëk.

Klizma është mënyra më e mirë për të pastruar skoriet dhe helmet nga trupi, e cila, sipas mjekëve, e shpëton njeriun nga 80 për qind e sëmundjeve që kërcënojnë shëndetin e tij.

Përgatiti: JONIDA TASHI

Studim, sulmi në zemër dhe ushqimi
Parandaloni sulmin në zemër duke ndryshuar ushqimin
Mbi 25 për qind të njerëzve që vdesin nga sulmi në zemër nuk kanë simptoma paralajmëruese, siç është dhimbja e gjoksit. Nuk mund të mbështetemi në mendimin se, “nëse kam sulm në zemër, mjekët do të më shpëtojnë dhe do të më japin barna, sepse disa njerëz nuk arrijnë në spital, vdesin në shtëpi”. Për këtë arsye parandalimi duhet të fillojë herët. Infarktet në zemër ndodhin kur një ose më shumë arterie të zemrës bllokohen, duke zvogëluar ose ndërprerë rrjedhën e gjakut që të arrijë në një pjesë të caktuar të muskulit të zemrës. Ato zakonisht paraprihen nga formacionet e depozitimit të yndyrave ose pllakave yndyrore brenda murit të arterieve, duke bërë që të formohen mpiksjet e gjakut (trombët), të cilat e mbyllin arterien. Nëse furnizimi me gjak ndërpritet disa minuta, pason vdekja. Një prej veprimeve që duhet të bëni për ta parandaluar sulmin në zemër është ndryshimi i ushqimit. Duhet të merrni të gjitha ushqimet, por dominues duhet të jetë ushqimi vegjetarian, i përbërë nga pemët dhe perimet e freskëta, të cilat përmbajnë vitamina dhe minerale. Merrni një lugë vaj ulliri në ditë bashkë me sallatë dhe përdorni më shpesh mishin e peshkut, i cili përmban acide të shumta yndyrore omega-3, që zvogëlojnë kolesterolin dhe si rrjedhojë, edhe rrezikun për sëmundje kardiovaskulare. Disa vezë në javë nuk janë të ndaluara. Edhe mishi lejohet, por pa dhjamë dhe në sasi më të vogël. Po ashtu mund të merren në sasi jo të tepërt edhe arrat, bajamet, lajthitë dhe shqemet, por në kokrra të plota. Kontrollimi i porcionit do të ndihmojë që të keni në dorë peshën tuaj. Kur të gatuani mos hidhni gjysmën e orizit në tenxhere, por duhet ta matni atë. Shmangni lëngjet e ftohta dhe ushqimet e kripura. Nëse mund të braktisni disa kafshime, keni krijuar barrierë ndërmjet jush edhe ushqimit. Jeni të ngopur, por nuk jeni aq sa të keni nevojë të shkopsitni pantallonat.

21 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›