Maturantët kundër provimit të Gjuhës Shqipe, 1 muaj afat për të përvetësuar lëndën
Këtë vit shkolla për të gjithë maturantët në vend do të përfundojnë më 21 maj sipas vendimit nga MASH. Edhe pse kanë mbetur vetëm disa ditë nga përfundimi i shkollës për maturantët të cilët do të japin provimet e maturës e më pas do tu duhet te përballen
me testet e vështira të Arsimit të Lartë, shumë prej tyre kanë paqartësi dhe për më tepër pakënaqësi për provimin e Gjuhës Shqipe e cila është një risi në provimet e maturës. Vetë nxënësit e disa shkollave të mesme kanë deklaruar ditën e djeshme për gazetën SOT se urdhri i Ministrisë së Arsimit për vendosjen e Gjuhës Shqipe është diçka e cila i vë përpara shumë vështirësive vetë nxënësit, pasi gjatë gjithë viteve të shkollës së mesme, Gjuha Shqipe nuk ka pasur tekste e nuk ka qenë lëndë më vete. Dhe për pasojë kjo ka sjellë edhe informimin e pakët të nxënësve dhe vënien në vështirësi të tyre përballë provimit i cili do të zhvillohet nga ta nga data 1-15 Qershor. Ky provim do të jetë për maturantët edhe prova e parë e Maturës Shtetërore. Dhe përkatësisht më datën 1. Kjo risi e vendosur nga MASH me idenë se provimi për Gjuhën Amtare duhet të jepet veçmas Letërsisë për shumë arsye, pasi nxënësit kanë mangësi në lidhje me gramatikën e të shkruarin. Sipas MASH, ky provim do ti ndihmonte nxënësit për të perfeksionuar termat dhe mënyrat e duhura. Po sipas MASH të gjithë maturantët për ta kapërcyer me sukses këtë risi në provimet e maturës, nuk duhet ti përkushtohen vetëm Letërsisë por edhe Gjuhës Shqipe. Por këtë provim e kundërshtojnë edhe specialistë të Arsimit të cilët deklarojnë se provimi i Gjuhës Shqipe është pak i nxituar për tu dhënë si një provim më vete pasi jo vetëm nxënësit janë të papërgatitur por edhe mësuesit kanë rezervat e tyre në lidhje me këtë provim. Ndër të tjera disa prej mësuesve të shkollave të mesme ndajnë të njëjtin mendim duke theksuar faktin se provimi i Gjuhës Shqipe është një domosdoshmëri për nxënësit por jo në këtë mënyrë kaq të befasishme pa përgatitjet paraprake. Kështu Linda. F. mësuese në Gjimnazin Qemal Stafa tha dje se Mënyra e shpejtuar e provimit të Gjuhës Shqipe nga MASH, Mund të krijojë probleme tek maturantët por jo vetëm tek ta por edhe tek mësuesit pasi gjatë të gjitha viteve në gjimnaz nuk ka patur materiale apo tekste specifike që do të përgatisnin nxënësin. Sipas saj Për këtë provim duhet të përgatiteshin më tepër të dyja palët. Ndër të tjera mësuesit kanë rezerva edhe për kohën e shkurtër të konsultimeve e cila do të kushtëzojë të dyja palët edhe mësuesit edhe nxënësit për të përvetësuar më mirë njohuritë e për ti përsëritur pa u nxituar të gjitha materialet.
Gjuhës Shqipe
Duke iu referuar programeve orientuese, që tashmë ata kanë në duar, Gjuha do të zërë 30 për qind të testit. çka do të thotë se minimalisht 7 pyetje nga totali, prej 25 të tillash, do të jenë pikërisht nga kjo lëndë. Pjesa tjetër do të përbëhet nga pyetje të fushës së letërsisë. Përjashtim do të bëjnë vetëm shkollat e mesme të përgjithshme, ku gjuha do të zërë 40 për qind të tezës (10 pyetje). Veç ndarjes së peshës, që do të zërë Gjuha dhe Letërsia në provim, maturantët kanë mundësi të përqendrohen edhe në temat të cilat kanë më shumë probabilitet tu bien në test. Ndër pyetjet e Letërsisë, më shumë se gjysma i përkasin Letërsisë Shqipe. Letërsia botërore do të zërë gjithashtu një vend të rëndësishëm ndërsa në fund është folklori, me 1 ose 2 pyetje. Sa i përket Gjuhës Shqipe, të shkruarit zë peshën më të madhe të provimit me 2 ose 3 pyetje, ndërsa në shkollat pedagogjike, do të ketë 5 pyetje nga morfologjia. Pjesa tjetër e pyetjeve (5-6) do të përbëhen nga pjesët e tjera të lëndës. Ashtu si dhe vitin e kaluar, testi për secilin nga provimet e detyruara (Matematikë dhe Gjuhë-Letërsi) do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 pyetje me përgjigje alternative (13 pikë) dhe 12 pyetje me përgjigje me zhvillim (37 pikë). Për të pasur rezultate maksimale, një maturant duhet të marrë maksimumi 50 pikë për çdo provim të detyruar. Nxënësi, i cili është mbetës, qoftë edhe në një nga provimet e detyruara të Maturës Shtetërore në sesionin e parë, nuk ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje. Ky nxënës është i detyruar të japë riprovim lëndët e detyruara në vjeshtë dhe, në qoftë se i merr ato, ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje vitin e ardhshëm. Lëndën e letërsisë, nxënësit e gjimnazeve do ta japin më 1 qershor, ndërsa Matematikën në datë 15 qershor.
Fitues, maturantët që zgjedhin lëndët e ngjashme me profilin e shkollës
Pas kalimit me sukses të provimeve me detyrim, nëse duan të ndjekin një shkollë të lartë, ata duhet të japin edhe lëndët me zgjedhje më datë 30 qershor. Sipas specialistëve, më probabilitet për tu shpallur fitues në universitete do të kenë ata maturantë, që kanë përcaktuar për provimet me zgjedhje lëndë që janë të ngjashme me profilin e shkollës së mesme që kanë mbaruar. Kjo, pasi në procesin e llogaritjes së rezultatit final, vlera e koeficienteve do të jetë më e lartë për degët e të njëjtit profil me llojin e shkollës së mesme, sesa ato me natyra të ndryshme.
Arta AGOLLI