E Diel, 1 Nëntor 2026

NATO: Pavarësia e Kosovës rriti sigurinë në Ballkan

 

Pavarësia e Kosovës ka rritur sigurinë në rajon, ky ishte përfundimi ku arritën ministrat e Mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel. Ministri i FSK-së, Fehmi Mujota gjatë një takimi me shefin e Stafit në Komandën Qendrore të NATO-s në Bruksel, Karl Hajnc Later, shprehu mirënjohjen e plotë për NATO s dhe KFOR in, që në mënyrë të vazhdueshme ndihmojnë institucionet dhe qytetarët e Kosovës. Ministri komentoi procesin e ngritjes së FSK-së si një forcë profesionale në funksion të paqes e sigurisë. Në takim “u vlerësua se Pavarësia e Kosovës ka rritur nivelin e sigurisë dhe stabilitetin në rajon dhe janë krijuar parakushtet, që në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare të punojmë për integrim në strukturat euroatlantike”, tha ministri. Në takim u bisedua edhe për procesin e trajnimeve dhe fillimin e rekrutimit për FSK nga shoqëria civile, si dhe planet dhe objektivat e ardhshme për ndërtimin e kapaciteteve profesionale të FSK së. Në takimin e Ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel u diskutuan një numër i madh çështjesh që kanë të bëjnë me të ardhmen e NATO s, në mënyrë të veçantë operacionet e saj në Afganistan dhe Kosovë, marrëdhëniet e saj me Rusinë, rritja e efeciencës së organizatës, etj. Në fjalën e tij përpara Këshillit të Atlantikut të Veriut, Ministri i Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha, në lidhje me angazhimin e NATO-s në Kosovë, vlerësoi vazhdimin e mëtejshëm të misionit KFOR në konfigurimin aktual, si parësor. Basha mbështeti të gjitha konstatimet e bëra në Këshill, si nga Sekretari i Përgjithshëm, ashtu edhe nga Ministrat pjesëmarrës se situata në Kosovë është përmirësuar rrënjësisht gjatë vitit të fundit që nga pavarësia. Ai vlerësoi gjithashtu vendosjen e EULEX it në të gjithë territorin e Kosovës dhe bërjen e tij tërësisht funksional. Ndërkohë Kosova do të marrë pjesë në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në të cilën do të diskutohet raporti për të arriturat tremujore në Kosovë. Kështu deklaroi dje ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni pas takimit me diplomatin çek, Libor Secka, vendi i të cilit aktualisht e kryeson presidencën e radhës së Bashkimit Evropian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›