E Diel, 1 Nëntor 2026

I rrahu të vëllanë, vret burrin e kushërirës në mes të lokalit

BERAT - Ekzekuton burrin e kushërirës në mes të lokalit. Tre plumba pistolete i kanë marrë jetën në vend 36-vjeçarit Sokol Kokoshi, banor i lagjes “Kushtrimi” në Berat.

Vrasja e Kokoshit ka ndodhur rreth orës 09:00, brenda lokalit në qendër të qytetit të Beratit, në kohën kur ai po pinte kafe bashkë me të afërm të tjerë. Autori, i identifikuar nga policia si 27-vjeçari Ndriçim Veleshnja e ka kryer vrasjen, pasi viktima i kishte rrahur të vëllanë gjatë një grindjeje. Altin Veleshnja, 21 vjeç ka debatuar me Kokoshin për motive që ende nuk janë zbardhur nga policia, duke u konfrontuar fizikisht me të. I gjakosur është kthyer në shtëpi, duke treguar se çfarë i kishte ndodhur. I vëllai, Ndriçimi ka marrë pistoletën TT dhe me të në brez është nisur drejt vendit ku ndodhej Kokoshi. Ai i është drejtuar lokalit me makinën e tij “Alfa Romeo” me targa të Tiranës e me qetësi ka shkuar deri në vendin ku ndodhej shënjestra. Goditjet e plumbave e kanë marrë 36-vjeçarin në krahun e majtë, duke i shkaktuar vdekjen brenda pak sekondash. Dëshmitarët e skenës në lokal janë tmerruar nga krismat, duke nxituar të dilnin jashtë për të shmangur ndonjë goditje plumbi. Ngjarja e ndodhur në sy të dhjetëra personave, mes tyre dhe familjarë të Kokoshit ka bërë që policia të identifikojë shumë shpejt autorin e krimit dhe të vihet në ndjekje të tij. Ndonëse krimi është cilësuar deri tani i ndodhur në kushtet e gjaknxehtësisë pas rrahjes së të vëllait të vogël, policia e ka akuzuar Veleshnjën për vrasje të paramenduar. Kjo, për shkak se pas vrasjes, autori ka lënë makinën e tij për t’u larguar me një mjet pa targa, i cili e ka pritur jashtë lokalit. Forcat e rendit janë shpërndarë në të gjithë qytetin, në rrethinat e tij dhe në zonat ku dyshohet se mund të fshihet atentatori, por deri në mbrëmje nuk është arritur ndalimi i tij. Në vendngjarje, sipas policisë ka qenë dhe kunati i viktimës, njëkohësisht kushëriri i parë i autorit, i cili ka tentuar ta ndjekë Veleshnjën, por ky me shpejtësi është larguar. Burimet bëjnë të ditur se midis dy fiseve ishte vendosur prej kohësh lidhja e krushqisë, pasi Sokol Kokoshi ishte dhëndër tek fisi Veleshnja. Viktima zotëronte një lokal të vogël bilardoje në qytet, ndërsa Ndriçim Veleshnja njihet si pronari i një lokali luksoz në qendër të Beratit. Paralelisht me aksion për kapjen e autorit, policia po punon për zbardhjen e shkaqeve të krimit, nëse mes tyre ka pasur një konflikt më të hershëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›