E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkeljet procedurale, Apeli rikthen në Fakt dënimin për Dondollakun

TIRANE – Dënimi për Enver Dondollakun, numrin dy të “Bandës së Lushnjës” rikthehet në Fakt për rigjykim.

Apeli i Krimeve të Rënda, pasi shqyrtoi dosjen e Shkallës së Parë, gjeti në të shkelje procedurale të shumta, pas të cilave me kërkesë të mbrojtjes urdhëroi rikthimin e saj në Fakt dhe rigjykimin e saj nga një tjetër trup gjykues. I cilësuar si krahu i djathtë i Aldo Bares, Dondollaku u dënua në mungesë me 25 vjet burg për një sërë veprash penale të kryera në qytetin e Lushnjës gjatë viteve 1998-2003 për llogari të “Bandës së Lushnjës”. Pas vendimit të dhënë disa muaj më parë mbrojtja e tij ka apeluar vendimin duke pretenduar se procesi i gjykimit ka pasur shkelje procedurale. Mosrespektimi i procedurave të njoftimit të të pandehurit pas ndryshimit të trupave gjykues që e gjykuan atë në Shkallë të Parë, është gjetur si shkelje nga Apeli. Ndërsa shkelje të tjera ka pasur edhe në administrimin e provave. Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka akuzuar Dondollakun si pjesëmarrës në ekzekutimin e pesë personave, plagosjen e dy të tjerëve, si dhe shkatërrime të pronave të bëra në kuadër të organizatës kriminale. Sipas aktakuzës grupi kriminal u krijua në korrik të vitit 1997, kur Artur Daja, një keqbërës i zonës, ekzekutoi Ramadan Shkurtin, vëllanë e Aldo Bares. Menjëherë pas vrasjes së vëllait, Alfred Shkurti, i cili tashmë mban emrin Aldo Bare, krijoi grupin e tij kriminal, duke realizuar vrasjen e Dajës, më 21 tetor vitit 1998. Në shenjë hakmarrje anëtarët e bandës së Bares shëtitën kokën e viktimës në qytetin e Lushnjës. Pas kësaj banda u fuqizua duke kryer shumë krime të tjera, si dhe duke u bërë aksionere kryesore në disa firma dhe asete në qytetin e Lushnjës. Veç tjerash, Bare arriti të përfitonte ndërmarrjen e peshkimit në Divjakë, e cila i sillte fitime jo të pakta. Pas goditjes nga shteti në vitet 2002–2005, bandës i erdhi fundi, ndërsa të gjithë anëtarët e saj përfunduan në qeli. Dy krerët Aldo Bare dhe Enver Dondollaku u arrestuan njëri në Ankara, Turqi dhe tjetri në Padova, Itali. Për ekstradimin e Bares, ndodhen në garë Shqipëria dhe Italia, pasi të dy shtetet kanë paraqitur kërkesë në Turqi që nga arrestimi i tij në mars 2006. Ndërsa Dondollaku ndodhet në Itali ku ka marrë një dënim me 200 muaj për shpërndarje narkotikësh. Pak muaj më parë Gjykata e Shkallës së Dytë e uli këtë dënim me 10 vjet.   fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›