E Diel, 1 Nëntor 2026

Tritoli, “pendohet” sekserja e licencave

Rrëfimi para prokurorëve gjatë marrjes në pyetje shpëtoi dje nga qelia 25-vjeçaren Aurela Çota, e arrestuar gjatë operacionit “Nitromak”, ndërsa tre të arrestuarit e tjerë Shkëlzen Madani, Kadri Suli dhe Ferdinand Hodo do të qëndrojnë në qeli deri në përfundim të hetimeve për korrupsionin me dhënien e licencave për import eksplozivash.

Fatos Mahmutaj

Kjo ishte masa e sigurisë që vendosi dje Gjykata e Tiranës për të arrestuarit katër ditë më parë. Togat e zeza vendosën masat e sigurisë, sipas kërkesës së bërë nga prokurori që kishte drejtuar hetimet paraprake. Para arrestimit të tyre përfaqësuesi i prokurorisë i ka kërkuar gjykatës vendosjen e masave të sigurisë “arrest në burg, në mungesë” për katër të pandehurit. Ndërsa pas marrjes në pyetje të personave të akuzuar, në dy seanca, njëra mbrëmjen e 3 majit pak orë pas arrestimit dhe tjetra një ditë para mbërritjes së tyre në gjykatë prokurori i çështjes vendosi të zbuste masën e sigurisë për 25-vjeçaren Aurela Çota. Ajo duket se është penduar duke zgjedhur të bashkëpunojë me hetuesit, përmes dhënies së dëshmive në interes të akuzës. Sipas prokurorit të çështjes, gjithçka ka nisur në fund të vitit të kaluar, kur firma “Nitromak” me qendër në Turqi dhe me filial në Shqipëri ka paraqitur kërkesën në Ministrinë e Mbrojtjes për t’u pajisur me leje për përdorim civil të lëndëve plasëse. Aktualisht në vend ka kërkesë për lëndë plasëse, pasi po kryhen mjaft ndërtime rrugësh dhe veprash të tjera, të cilat kanë nevojë për lëndë plasëse. Të paktën firma që po ndërton rrugën Thirrë-Kalimash ka paraqitur kërkesën për të blerë sasi të konsiderueshme lëndësh plasëse. Duke studiuar nevojat e tregut, firma turke ka siguruar licencën në Ministrinë e Mbrojtjes dhe më pas magazinat, të cilat kanë qenë objekte ushtarake të marra me qira disamujore.
Ryshfeti
Sipas prokurorisë, pikërisht me anë të këtyre procedurave të pandehurit kishin monopolizuar tregtinë e lëndëve plasëse në vend, duke bllokuar çdo firmë tjetër që mund t’i konkurronte. Pas denoncimit të bërë në prokurori nga përfaqësuesit e firmave të tjera, më datë 3 janar nisi përgjimi i telefonave së të pandehurve nga efektivët e Task-Force. Nëpërmjet bisedave telefonike, prokuroria ka arritur të mësojë se kreu i Drejtorisë së Menaxhimit të Instalimeve dhe të Burimeve në Ministrinë e Mbrojtjes, Shkëlzen Madani, 44 vjeç kishte përfituar dy mijë euro për të pajisur me licencë për tregtim tritoli firmat “Nitromak”, përfaqësuese e të cilës ishte Aurela Çota dhe “Geoconsult” me administrator Ferdinand Hodo. Ndërsa 53-vjeçari Kadri Suli, me detyrë ish-komandant i brigadës logjistike numër 4300, pranë Komandës Mbështetëse të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, në këmbim të ryshfetit, u kishte krijuar mundësi firmave të depozitonin tritolin nëpërmjet qirave të ulëta, në magazinat ushtarake. Pas seancës së djeshme avokatët mbrojtës të të pandehurve pohuan se, do i apelonin vendimet, pasi sipas tyre nuk ishin zbatuar procedura ligjore në lëshimin dhe verifikimin e urdhër-arresteve.

Korrupsion me licencat dhe qiratë e magazinave

TIRANE – Hetimet 4-mujore të Njësisë Task-Force Antikorrupsion kanë zbuluar se, përfaqësuesja e kompanisë “Nitromak”, Aurela Çota dhe Ferdinand Hodo, përfaqësues i firmës “Geoconsult”, kanë luajtur rolin e sekserëve në dhënien e ryshfetit për zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtrisë në këmbim të marrjes së licencave dhe lejeve të importit ndërkombëtar të tritolit. Pasi kompanitë bënin kërkesat e tyre për pajisje me leje importi dhe me licencë, ishin përfaqësuesit e këtyre firmave që hynin në kontakt me drejtorin e Ministrisë së Mbrojtjes Shkëlzen Madani dhe ofronin shuma ryshfeti. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e firmave që merreshin me biznesin e lëndëve eksplozive, kanë hyrë në kontakt me kolonelin Kadri Suli, komandant i Komandës së Furnizimit pranë Forcave të Armatosura. Dyshohet se përmes shumave të ryshfetit të paguara tek ai dhe zyrtarë të tjerë, firmat private merrnin me qira magazina të ushtrisë, në të cilat kanë vendosur eksplozivin, pasi e importonin nga jashtë vendit, kryesisht nga Turqia. Dhënia me qira e këtyre magazinave dyshohet se është bërë në përfitim dhe në favorizim të firmave private, të cilat veç çmimit zyrtar të vendosur dyshohet se, kanë bërë pagesa shtesë çdo muaj, me qëllim që shuma të tilla financiare të përvetësoheshin nga zyrtarët e ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes.       

Sekretari: S‘kam lidhje me licencat

TIRANE – Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Adriatik Mema reagoi dje, pas lajmit të publikuar se, ai është person në hetim lidhur me korrupsionin në dhënien e licencave për kompanitë e tregtimit të eksplozivit. Mema tha se, detyra e tij si sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë, nuk e ka përfshirë atë asnjëherë në dhënien e licencave apo diskutimin për një vendimmarrje të tillë, e cila kryhet nga një komision i posaçëm, ku Mema tha se nuk ka qenë pjesë e tij. Ai, gjithsesi nuk përjashtoi të ketë pasur kontakte me njërën prej firmave që dyshohet se, ka dhënë ryshfet për të marrë licencën. “Kontaktet e mia kanë qenë ligjore dhe nuk kanë të bëjnë me licencën, por me marrjen me qira të një magazine të ushtrisë nga kjo kompani”, sqaroi dje sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, duke shprehur habinë e tij për mundësinë që ai të jetë marrë në hetim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›