E Diel, 1 Nëntor 2026

I sëmuri bën masakër në Himarë

Masakrohet në mes të Himarës banori 73-vjeçar.

HIMARE/ QEMAL BIRAKU

Një i ri nga Lushnja, i cili dyshohet se është me probleme mendore, u arrestua nga policia e Vlorës pas ngjarjes së rëndë të ndodhur mëngjesin e djeshëm. Pirro Bollano ka rënë pre e ekzekutimit makabër, me gurë e mjete të mprehta nga Bledi Xhaferri, 24 vjeç. Sipas policisë, i moshuari është goditur disa herë me sende të forta në kokë, fytyrë e pjesë të tjera të trupit e më pas është qëlluar me thikë. Pas krimit autori është gjunjëzuar përpara viktimës dhe ka filluar të bërtasë “Krishti u ngjall” dhe “Zoti më shpëtoi”, duke krijuar tmerr dhe panik te banorët, dëshmitarë të skenës së krimit. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur policia e cila ka arrestuar pa hasur rezistencë 24-vjeçarin. Bëhet e ditur se ngjarja e rëndë, që ka tronditur qytetin e Himarës ka ndodhur rreth orës 09:15 të ditës së djeshme në afërsi të qendrës së qytetit. Sipas policisë, i riu Xhaferri, me banim në fshatin Fier Shegan të Lushnjës, kishte 15 ditë që rrinte në Himarë. Gjatë kësaj kohe ai ishte mëshiruar nga banorët, duke iu gjetur një vend pune pranë një firme ndërtimi, që po ngrinte një pallat në qytezë. Dje, si çdo ditë, ai ka dalë në orën 08:00 dhe pasi ka konsumuar një kafe në një nga lokalet në qendër të Himarës ka dalë në bulevard. Mes njerëzve që lëviznin në bulevard ai ka shquar Bollanon, i cili i kishte siguruar atij vendin e punës në ndërtim. Në këto momente, pa thënë asnjë fjalë, i riu ka marrë dy gurë që i ka gjetur rastësisht dhe me ta ka goditur në kokë të moshuarin. Goditja e fortë e ka shembur në tokë pa ndjenja 73-vjeçarin, ndërsa Xhaferri ka vazhduar ta godasë, duke i shkaktuar edhe fraktura në kafkë. Si të mos mjaftonte kjo, më pas monstra ka nxjerrë nga xhepi i tij një thikë dhe me të e ka qëlluar të moshuarin në pjesën e barkut. Sipas të pranishmëve në vendngjarje, pasi ka kryer krimin makabër Xhaferri është gjunjëzuar përpara viktimës dhe duke ngritur duart e gjakosura drejt qiellit ka nisur të bërtasë “Krishti u ngjall” e “Zoti më shpëtoi”, si edhe fraza të tjera të pakuptueshme. Pas mbërritjes së policisë në vendngjarje. Një efektiv i policisë së Himarës ka mundur t’i afrohet 24-vjeçarit dhe mbasi i ka larguar thikën që mbante në dorë e ka arrestuar, prej të cilit nuk ka pasur kurrfarë rezistencë. “Jemi shokuar nga ajo që pamë. Këto gjëra i kishim parë vetëm në filma me monstra. Askush nuk mund t’i afrohej atij nga frika se mos reagonte ndaj nesh me thikë”, ka pohuar njëri prej banorëve. Nga hetimet paraprake për autorin e vrasjes ka rezultuar se ai kishte shfaqur probleme mendore dhe se si i tillë njihej nga banorët e zonës. Burimet policore bënë të ditur se, 24-vjeçari ka qenë rreth 10 ditë i punësuar te një firmë ndërtimi. I moshuari i kishte shitur tokat e tij kësaj firme dhe ishte po ai që i kishte mundësuar punësimin Xhaferrit pas mbërritjes së tij në qytet. Sipas banorëve, mes viktimës dhe 24-vjeçarit nuk ka pasur më parë asnjë problem.

Xhaferri i dhunshëm edhe në fshat
Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Himarë, policia e Lushnjës ka nisur verifikimin për të kaluarën e 24-vjeçarit Bledi Xhaferri, banor i fshatit Fier-Shegan të këtij rrethi. Mësohet se ai njihej si person me probleme mendore dhe pjesën më të madhe të jetës e kishte kaluar si endacak. Banorë të zonës e njohin të riun si të dhunshëm dhe i ruheshin sa herë që ai qëndronte në fshat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›