E Diel, 1 Nëntor 2026

Tenton vetëdjegien pronari i vaskave

LIBRAZHD – Pronari i vaskave të peshkut në fshatin Rrajcë të Librazhdit kërcënon me vetëvrasje.

Rakip Laçka, 52 vjeç ka lajmëruar dje policinë e qytetit se do të vetëdigjej me benzinë brenda makinës së tij. Sapo kanë marrë alarmin, policia e Librazhdit është nisur drejt vendit ku ndodhej biznesmeni, duke e ndalur atë në tentativë për t’i vënë flakën vetes. Sipas policisë, 52-vjeçari Laçka kishte pësuar depresion pas një konflikti me drejtues të pushtetit vendor për përdorimin e ujit për vaskat e peshkut. Gjithsesi, policia po heton për të zbardhur rrethanat që e çuan Laçkën, duke dyshuar dhe te një formë presioni për zgjidhjen e konfliktit. Pak ditë më parë ai akuzoi publikisht kryetarin e komunës se po i dëmtonte biznesin, për të cilin kishte investuar një shumë të madhe parash. Ndërsa nga ana e tij, kryekomunari Selaudin Bogdani ka pohuar se, pronarët e vaskave kërkojnë shfrytëzimin e një sasie më të madhe uji sesa u takon.      a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›