E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjekët e 17-vjeçares së vdekur rrezikojnë pezullimin nga detyra

TIRANE – Dy mjekët që kanë kryer ndërhyrjen kirurgjikale në bajamet e Matilda Petritit, vajzës 17-vjeçare nga Korça, rrezikojnë pezullimin nga detyra.

Lajmi është konfirmuar nga burime të Prokurorisë së Tiranës, të cilat pohuan dje se grupi i hetimit do t’i kërkojë Ministrisë së Shëndetësisë pezullimin nga detyra për mjekun Xhevahir Hoxhallari dhe një koleg të tij, që ka marrë pjesë në operacionin e bajameve të vajzës, e cila humbi jetën si pasojë e një hemorragjie të brendshme. Prokuroria e Tiranës ka regjistruar në hetim dosjen penale lidhur me vdekjen e pacientes, duke formuluar akuzën e mjekimit të gabuar. Për këtë vepër penale mësohet se janë persona në hetim, mjeku Xhevahir Hoxhallari dhe një koleg i tij, i cili ka marrë pjesë në ndërhyrjen kirurgjikale në bajamet e vajzës së vdekur në spital. Organi i akuzës në kryeqytet tha se, është në pritje të përfundimit të autopsisë nga mjekët ligjorë për shkakun e vdekjes së vajzës nga Korça. Menjëherë pas përfundimit të autopsisë, Prokuroria pritet të marrë masa penale ndaj dy mjekëve që kanë kryer operacionin e pacientes, e cila humbi jetën në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në Tiranë. Organi i akuzës tha se ka disa precedentë, kur gjatë hetimeve për mjekim të gabuar i është kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë pezullimi i bluzave të bardha nën hetim, deri në përfundim të procesit penal. “Hetimet mbi rrethanat e vdekjes së 17-vjeçares nga Korça, Matilda Petriti, kanë për objekt veprën penale të “mjekimit të pakujdesshëm”. Për këtë vepër penale personat e dyshuar janë mjekët që kanë kryer ndërhyrjet kirurgjikale në bajamet e vajzës fillimisht në klinikën e Pogradecit në pronësi të Xhevahir Hoxhallarit dhe më pas edhe në Tiranë pas mbërritjes së vajzës në gjendje të rëndë”, thanë burimet nga Prokuroria. Pozicioni i mjekëve në vdekjen e pacientes, pritet të sqarohet pas rezultateve të pritshme nga mjekësia ligjore, e cila pritet të përcaktojë shkakun e vdekjes së vajzës përmes një autopsie të hollësishme dhe të thelluar. Deri atëherë, duket se mjekët që kanë operuar vajzën, do të përballen me masën disiplinore të pezullimit nga detyra. Ata dyshohet se i kanë dëmtuar 17-vjeçares një venë në zonën e bajameve nga e cila pacientja ka pasur hemorragji të vazhdueshme, çka i ka shkaktuar humbjen e jetës.               tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›