E Diel, 1 Nëntor 2026

Studentët e Mjekësisë: Të korigjohen tekstet



Reformim të sistemit arsimor shëndetësor. Me këtë kërkesë studentët e Fakultetit të Mjekësisë protestuan dje përpara godinës së fakultetit. Në peticionin e tyre, ata kanë parashtruar domosdoshmërinë për korrigjimin e mangësive në literaturën mjekësore. Gjithashtu ata kërkojnë krijimin e kontratave me qendra të tjera spitalore, ku mund të ushtrohen studentët, rritjen e numrit të pedagogëve, shtimin e ambienteve të mësimdhënies, organizimi i aktiviteteve shkencore. Studentët e mjekësisë kanë shprehur pakënaqësi edhe sa i përket politizimit të strukturave studentore në shkollat e larta. "Ne kemi bërë disa peticione, të cilat ia kemi dërguar si Dekanatit, ashtu edhe Ministrisë së Arsimit e Rektoratit, por nuk kemi parë asnjë ndryshim", shprehen studentët. Ata kanë ngritur një lëvizje studentore tërësisht të pavarur nga politika, ku i kërkojnë drejtuesve të Fakultetit plotësimin e kushteve për ta. Pas kërkesave të shtruara prej përfaqësuesve të protestës, fjalën e mori Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Alfred Priftanji, i cili foli për mundësitë reale të plotësimit të kërkesave. "Fakulteti i Mjekësisë, Dekanati, trupa pedagogjike është e gatshme të përfshihet në zgjidhjen e kërkesave, dhe këto janë vërtet të vështira sepse duan impenjim, kohë por ne jemi për t'i zgjidhur ato", theksoi dekani Priftanji. Sipas studentëve, kërkesat e tyre janë lehtësisht të plotësueshme. "Ne besojmë se ndryshimi i mënyrës së vlerësimit të provimeve, apo më shumë mundësi për përmirësime të lëndëve, e ambientet e mësimdhënies janë kërkesa që plotësohen me vështirësi. Gjithashtu kërkojmë që të kontrollohet cilësia e teksteve që ne blejmë nga çdo pedagog", u shprehën studentët. Protesta do të vijojë sërish më 13 prill, nëse mungon vullneti për të dhënë zgjidhje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›