Studentët e pasur sjellin drogë Lazarati në Tiranë
Studentët blejnë drogë në Lazarat dhe e shesin në Tiranë. Bëhet fjalë për një grup prej nëntë vetash, të cilët studionin në universitete private dhe janë kapur nga policia, të dendur me hashash, të cilët qëndronin në një banesë me qira. Transportuesja e drogës, e cila shitej në Tiranë, sidomos për studentët ishte një vajzë 18 vjeçe, për të cilën nuk ishte dyshuar më parë se mund të merrej me trafik droge. Ajo, bashkë me të dashurin e saj dy vjet më të madh, sillnin lëndë narkotike në Tiranë dhe e shisnin për persona të ndryshëm. Bashkë kishin marrë një shtëpi me qira pranë bulevardit “Zogu I” dhe aty takoheshin me personat që donin të blinin mall. Burimet policore thanë se arrestimi i tyre u krye gjatë operacionit “Bulevard”, ku u bllokua një sasi prej 1 kilogramësh e 300 gramë kanabis. Sipas të dhënave, shtatë personat e tjerë kanë deklaruar se ishin përdorues droge dhe nuk merreshin me shpërndarjen e saj.
Nga hetimet paraprake rezultoi se nëntë personat e arrestuar dyshohet se në bashkëpunim realizonin shpërndarjen dhe shitjen e lëndës narkotike kanabis, pranë bulevardit “Zogu I” në Tiranë. Kapja dhe më pas arrestimi në flagrancë i tyre u bë në mesditë në rrugën “Maliq Muço”, në afërsi të bulevardit “Zogu I”, ku u është sekuestruar në cilësinë e provës materiale sasia prej 1 kilogramësh e 300 gramë, bimë e dyshuar e llojit “Cannabis Sattiva”, 8 celularë si dhe shuma e parave 139 mijë lekë. Personat e lartpërmendur, studentë në Tiranë, për të realizuar shitjen e lëndës narkotike, kishin marrë një banesë me qira, me qëllim realizimin e aktivitetit të shpërndarjes së kundërligjshme të lëndës narkotike. Nga hetimet e realizuara nga strukturat e Seksionit Kundër Narkotikëve në Tiranë, dyshohet se lënda narkotike vinte nga Jugu i Shqipërisë, nga shtetasit Klevis Abazaj dhe Xhoana Guçe. Droga mendohet se blihej në Lazarat dhe sillej drejt Tiranës. Në banesën e marrë me qira, ata organizonin festa të vogla, me qëllim që Abazaj dhe Guçe të shisnin lëndën narkotike. Aty, droga ishte e ndarë në qese të vogla dhe studentët e shpërndanin te përdoruesit e saj. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Tiranës për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.
#