E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lamtumirë mes lotësh për policin e vrarë

Ngjarja Tom Jakini u qëllua për vdekje nga kolegu i tij, dy ditë më parë pas një debati banal mes tyre

është përcjellë për në banesën e fundit dje në mesditë polici Tom Jakini, i cili u qëllua për vdekje nga kolegu i tij polic, dy ditë më parë pas një debati banal mes tyre. Ceremonia mortore është zhvilluar në orën 14:00, ku familjarë, të njohur dhe kolegë të punës i kanë dhënë lamtumirën e fundit policit Tom Jakini. Arkivoli me trupin e pajetë të 35-vjeçarit është mbajtur në supe nga kolegët e punës, nga shtëpia e viktimës deri te varrezat e fshatit Naraç. Pothuajse e gjithë Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër ka qenë e pranishme në ceremoninë mortore të kolegut të tyre. Por më e rëndë kjo ngjarje ka qenë për familjen, gruan dhe tre fëmijët, të cilët nuk gjenin forcë për të përballuar dhimbjen. Përveç kolegëve dhe shokëve, i pranishëm i gjithë fshati Naraç ishte në përcjelljen e bashkëfshatarit. Pas ritit fetar, trupi i pajetë i policit është përcjellë për në banesën e fundit me dhimbje dhe hidhërim nga të afërmit dhe kolegët. Banorët e zonës dhe kolegët e punës vazhdojnë të shprehin habi se si është e mundur që një njeri të qëllohet për vdekje vetëm për fjalë goje e për më tepër, kur ndodh mes shokësh dhe kur shkak bëhet një lojë fjalësh. Një banor i zonës, Mark Kola, pak minuta pas ceremonisë së varrimit, duke folur për gazetën shprehet: “Tomën e kisha bashkëfshatar dhe shok, e njoh shumë mirë atë djalë, nuk ishte për t’u vrarë. Kam mbetur i çuditur kur mora lajmin, në fillim mendova se mos kanë qenë në aksion dhe ka mbetur i vrarë, por kur morëm vesh se ai është qëlluar nga një polic dhe kur më pas doli se shkak ishte bërë në fjalë goje ‘ec më ngadalë’, atëherë kemi ngelur të shtangur. Kjo që ndodhi në Bushat besoj se nuk ka për të ndodhur ndonjëherë, është e tmerrshme të vrasësh shokën tënd të punës, babain e tre fëmijëve për një fjalë goje. Nuk kemi fjalë, nuk dimë as çfarë të themi e se si të ngushëllojmë familjen, kaq shumë jemi të tronditur. Toma ishte shumë i respektuar në fshat, ishte shumë i dashur, i shoqërisë, mundohej t’i ndihmonte të gjithë, nuk ishte natyrë që krijonte konflikte me njerëz, por siç themi ne në anët tona i paska mbaru ora, kanë mbaruar ditët aty e paska pas të shkruar”. Sot, pritet të jepet masa e arrestit për policin Ramiz Ademi, autor i dyshuar i vrasjes së policit. Ai mbahet i izoluar në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Shkodrës. Pasi ka shprehur pendesë për krimin, autori i ngjarjes ka deklaruar me detaje atë që kishte ndodhur para agjentëve të policisë. Ademi ka thënë se gjithçka kishte nisur nga një debat banal, që më pas ka degjeneruar me përleshje fizike dhe përdorim të armës së zjarrit. Autori ka qëndruar i heshtur duke mos dashur të komunikojë me njeri. Polici Tom Jakini, 35 vjeç, u qëllua për vdekje nga kolegu i tij i punës, me 4 plumba pistolete.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›