Shfrytëzoi varfërinë, e bëri 17-vjeçaren prostitutë
Ka shfrytëzuar njohjen me një adoleshente dhe kur ajo i është qarë se nuk kishte para për të bërë një jetë më të mirë, e ka përdorur si skllave seksi. Nuk bëhet fjalë për ndonjë tutor, por për një vajzë 24-vjeçare, e cila i ka dhënë “zgjidhjen” një 17-vjeçareje, duke i kërkuar edhe përqindje për klientët që i gjente. Asaj nuk i është dashur shumë kohë të bindë adoleshenten, e cila ka pranuar që të shkojë me meshkuj të ndryshëm kundrejt fitimit prej 5 mijë lekësh për çdo rast. Historia, e cila zë fill jo shumë kohë më parë, ka përfunduar dy ditë më parë, kur policia ka ndërhyrë për të arrestuar “tutoren” dhe vajzën e re. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se në orët e natës, vajza e re kishte dalë me një klient në një hotel te rruga “Don Bosko”. Oficerët e antitrafikut, që e mbanin nën mbikëqyrje, kanë vënë re gjithë skenën, kur ajo është takuar me klientin dhe kur i ka marrë 5 mijë lekë për shërbimin e ofruar. Sapo ka dalë nga hoteli, ajo ka takuar shoqen e saj, Orjana Këllezi, 24 vjeçe, e cila i gjente klientët. Të dyja janë kapur nga oficerët e policisë dhe janë shoqëruar për në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku janë marrë në pyetje. Ato kanë deklaruar se ishin njohur kohë më parë. Vajza 17-vjeçare i kishte treguar shoqes më të madhe se ishte e varfër dhe për të bërë para, ajo i ka propozuar të bëhet prostitutë. Të punojë për pak kohë dhe më pas të rikthehet në jetën normale. Gjatë operacionit, policia sekuestroi paratë e gjetura, katër celularë, me të cilët kryenin telefonatat si dhe arrestoi 24-vjeçaren për shfrytëzim të vajzës për prostitucion dhe vetë adoleshenten për ushtrim prostitucioni.
#