Dosja Hoxha, Loshaj zhduket në Holandë
Zhduket në Holandë Avdyl Loshaj, dëshmitari kryesor i procesit gjyqësor ndaj ish-shikasve që akuzohen për rrëmbim të trefishtë. Seanca e djeshme gjyqësore në Gjykatën e Krimeve të Rënda është shtyrë si pasojë e mosgjetjes në qytetin e Bradës në Holandë të dëshmitarit Avdyl Loshaj deri në zbardhjen e adresës së saktë të tij. Autoritetet e drejtësisë holandeze, nëpërmjet letërporosisë i kanë kthyer përgjigje Ministrisë së Drejtësisë për këtë problem. “Personi me emrin Avdyl Loshaj, për të cilin ju jeni të interesuar, për ta marrë në pyetje si dëshmitar, nuk ka adresë në qytetin e Bradës. Po kështu ky person nuk figuron të jetë i regjistruar me këtë emër. Në këto kushte, ne nuk mund t’iu ndihmojmë dot për ta marrë në pyetje”, thuhet në shkresën e Ministrisë së Drejtësisë së Holandës dërguar në Shqipëri. Fill pas leximit të kësaj përgjigjeje ka reaguar edhe prokurori Xhevat Hana, duke deklaruar para Kolegjit Penal të Krimeve të Rënda se “jam i bindur se Avdyl Loshaj ndodhet në qytetin e Bradës në Holandë”.
Prokuroria tha se në dhjetor të vitit 2003, Loshaj është pyetur në ambasadën tonë në Holandë për ngjarjen e vitit 1995, pasi ishte pjesë e skenarit të rrëmbimit dhe të torturimeve. “Dëshmitari, për arsye të sigurisë fizike, nuk ka dhënë adresën e tij të saktë, madje ai mund të jetë i regjistruar me emër tjetër”, vijoi prokurori. Ai konfirmoi faktin se Loshaj ka telefonuar në prokurori dhe është i interesuar për të dhënë dëshminë, me qëllim zbardhjen e së vërtetës për ngjarjen e rëndë të vitit 1995, ku u rrëmbye dhe torturua nga punonjësit e SHIK-ut. Akuza u shpreh se Loshaj ka dërguar edhe një fotografi të atyre viteve, ku duken qartë shenjat e dhunës dhe se ai ndihet i kërcënuar për jetën edhe në Holandë.
Ndërkohë, një tjetër përgjigje u lexua në seancën e djeshme gjyqësore te Krimet e Rënda. Ministria jonë e Drejtësisë ktheu përgjigje për tre dëshmitarët që aktualisht ndodhen në Itali dhe kanë dijeni për veprimet që ka kryer SHIK në bazën e tij në Vain të Lezhës për të rrëmbyerit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj, Ziso Kristopuli e të tjerë. “Marin Miraj, Gjok dhe Flora Hasani kanë marrë njoftim se do të pyeten si dëshmitarë dhe, nga autoritetet italiane është caktuar data 25 qershor si ditë kur ata do të jenë përballë prokurorëve”, thuhet në letërporosinë e sjellë nga autoritetet italiane. Sipas gjykatës, përgjigjja nga Italia ka ardhur më 17 maj pranë gjykatës, ndërsa nga Holanda ka mbërritur në Ministrinë e Drejtësisë më 4 maj. Seanca e djeshme u shty pasi trupi gjykues i dha kohë një javë akuzës të konfirmojë adresën e Avdyl Loshaj për t’u shprehur më pas për vazhdimin e marrjes së provave. Nga ana e tyre, avokatët ishin kundër marrjes së kësaj dëshmie. Sipas tyre, Loshaj i fshihet shtetit holandez, pasi mund të ketë problem me drejtësinë e këtij vendi.
Sipas prokurorisë, Marin Miraj, Gjok dhe Flora Hasani janë tre dëshmitarë që aktualisht ndodhen në Itali. Prokuroria prej disa muajsh ka bërë përpjekje për gjetjen e adresave të tyre, ndonëse në rrugë institucionale janë marrë një herë në pyetje në ambasadën tonë në shtetin fqinjë. Tre dëshmitarët e mësipërm kanë dijeni për veprimet që kanë kryer punonjësit e SHIK-ut në vitin 1995 në bazën e Vainit në Lezhë me Remzi Hoxhën dhe të rrëmbyerit e tjerë. Sipas akuzës këta janë të vetmit që kanë parë Remzi Hoxhën në ditët e tij të fundit të jetës dhe kanë dijeni për zhdukjen e tij. Marin Miraj është një prej dëshmitarëve kryesorë, i cili do të zbardhë të vërtetën për Remzi Hoxhën, pasi mendohet se ai ka dijeni për varrin e tij. Të tre dëshmitarët kanë qenë të punësuar në bazën e SHIK-ut në atë vit dhe kanë parë e dëgjuar gjithçka.
#