I shiti agjentit gjerman 11 kg hashash, srrezikon 10 vite burg
PRETENCA
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, në seancën e radhës ndaj të pandehurit Gazmend Hasaj, lexoi konkluzionet përfundimtare ku kërkoi nga togat e zeza deklarimin fajtor të të pandehurit për akuzën e "trafikut të lëndëve narkotike" në bashkëpunim dhe dënimin e tij me 10 vjet e 6 muaj burg.
Kjo vepër penale, sipas akuzës, është konsumuar nga i pandehuri në gushtin e vitit të kaluar duke i shitur një agjenti 60- vjeçar gjerman 11 kg hashash, i cili enkas kishte ardhur nga shteti i Bavarisë. Sipas pretencës, i pandehuri Hasaj këtë vepër penale e ka konsumuar bashkë me të pandehurin që është dënuar tashmë në Gjermani, shqiptarin Edis Muja.
"Gjatë fazës hetimore është provuar se i pandehuri Hasaj njihej prej kohësh me të pandehurin e arrestuar në Gjermani Muja, pasi dy së bashku jetonin dhe banonin në një qytet. Në zonën ku të dy të pandehurit jetonin, ata njiheshin nga agjentët e anti-drogës si "shpërndarës" të sasive të vogla të heroinës.
Duke pas këtë informacion, policia gjermane, në shkurt të vitit 2008 fillon hetimet për të zbardhur bashkëpunëtorët e dy emigrantëve shqiptarë. Për të zbardhur "furnizuesit" e tyre, policia angazhoi një agjent 60- vjeçar që shtiret si blerës droge dhe përdorues. Plakut gjerman, dy shqiptarët i kishin ofruar se në Shqipëri do t'i gjenin 100 kg heroinë, për të cilën duhet të vinte vetë 60- vjeçari në Shqipëri.
"Agjenti" gjerman nën kontrollin e eprorëve të tij, pranon të vijë në Shqipëri për të marrë drogën, por, i pandehuri Hasaj i gjen vetëm 11 kg hashash të cilën ia ngarkon në makinën rulot që kishte në përdorim shtetasi gjerman. Me të kthyer në shtetin e tij, policia ndërhyn duke arrestuar Mujën dhe më pas dërgon letër-porosinë, ku arrestohet Hasaj. Pas leximit të fabulës, gjykata i la dy javë kohë mbrojtjes të përgatit pretendimet përfundimtare.