E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëmbehet për grabitje taksisti

Policia e Kamzës arrestoi një prej autorëve të dyshuar të grabitjes ndërsa ende nuk dihet identiteti i personit të dytë


Dy të rinjtë kërkuan shërbim me taksi në qendër të kryeqytetit ndërsa në Paskuqan tentuan t'i rrëmbenin automjetin shoferit


TIRANE- Rrëmbehet me qëllim grabitjeje taksisti në qendër të kryeqytetit, ndërsa policia arreston një nga të dyshuarit pas alarmit të dhënë nga taksisti që kishte mundur të shpëtonte nga dy rrëmbyesit në afërsi të Paskuqanit.


Lajmi është dhënë dje nga policia e kryeqytetit nëpërmjet një njoftimi zyrtar të dhënë prej saj, në të cilin njoftohej edhe arrestimi i një prej të dyshuarve për ngjarjen që sipas njoftimit zyrtar ka ndodhur të shtunën në mbrëmje.


Bujar Marku, 23 vjeç, nga Paskuqani, është ndaluar nga policia e komisariatit nr.5, me akuzën e grabitjes së mbetur në tentativë, si dhe të rrëmbimit të personit me qëllim grabitjeje, të dy këto të mbetura në tentativë dhe në bashkëpunim, ndaj një taksisti që punonte me mjetin e tij të markës "Mercedez- Benz ", me targa TR 432 D.


Sipas deklarimit të të dëmtuarit, ai kishte qenë në qendër të kryeqytetit, kur rreth orës 22:30 të mbrëmjes, një person të cilin ai e ka identifikuar si një të ri që kishte kërkuar taksi me qëllim për të shkuar deri në Paskuqan. Në rrëfimin e tij për hetuesit e komisariatit nr.5, taksisti ka deklaruar se bashkë me të dyshuarin kishte qenë edhe një person tjetër të cilin ai nuk e kishte njohur.


Ndërkaq taksisti ka dhënë për hetuesit përshkrimin e personit, sipas të cilit ai ishte jo më tepër se 25 vjeç, me flokë ngjyrë gështenjë dhe i veshur me një palë pantallona xhinse. Menjëherë pas kërkesës së klientit nga Paskuqani, vetura është nisur drejt destinacionit të kërkuar nga klienti.


Pasi mjeti ka mbërritur në Paskuqan pranë një rezervuari të zonës, klientët kanë kërkuar të zbresin, ndërsa drejtuesi i mjetit ka hapur krahun në një rrugë jo shumë të favorshme për të. Sapo vetura ndaloi, dy personat i janë hedhur taksistit nw trup me qëllim marrjen e çelësave nga ai dhe për t'u larguar.


Ndërkohë që ata mundoheshin t'i merrnin çelësat, taksisti ka zbritur nga mjeti i tij duke arritru t'iu largohet grabitësve, ndërsa ka braktisur mjetin. Menjëherë ai i ka telefonuar policisë ndërsa ka kërkuar ndihmë aty. Këta të fundit menjëherë pas kësaj janë larguar, ndërsa policia është njoftuar prej taksistit që kërkoi ndihmë.


Pas kallëzimit të marrë nga ky i fundit disa agjentë policie dhe shërbime të komisariatit nr.5, kanë mbërritur në adresën ku kishte ndodhur tentativa e grabitjes me dhunë. Pas dëshmisë së taksistit blutë kanë kryer disa kontrolle banesash si dhe disa shoqërime.


Mes të shoqëruarve, kanë qenë edhe i arrestuari Marku i skeduar nga policia edhe më parë për veprime të dhunshme dhe vjedhje. Gjatë ballafaqimit për njohje mes taksistit dhe të dyshuarve, shoferi ka drejtuar gishtin mbi Markun.


Ndaj tij policia ka nisur procedimin penal me akuzën e grabitjes ndërsa ende nuk dihet bashkëpunëtori i dytë i tij. Për këtë të fundit oficerët e krimeve të komisariatit nr.5, pohuan se po punojnë për ta identifikuar dhe arrestuar si bashkëpunëtor në krimin e tri ditëve më parë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›