Shembja e pallatit në Gjirokastër, të pandehurit kërkojnë pafajësi
FATKEQËSIA/ Avokatët kanë kërkuar pushimin apo rrëzimin e akuzave të ngritura për ngjarjen që shënoi tre viktima dhe shumë të pastrehë
GJIROKASTËR- Pushim dhe rrëzim të akuzave. Ky ka qenë pretendimi i palës mbrojtëse të 7 të pandehurve në seancën e parafundit të gjyqit për tragjedinë e 9 nëntorit në Gjirokastër. Fjala e fundit e drejtësisë do të thuhet në datën 10 nëntor që përkon edhe me njëvjetorin e kësaj ngjarjeje të rëndë, që mori jetën e tre personave.
Ora 09:00 e së hënës ka shënuar nisjen e seancës së parafundit në procesin gjyqësor për shembjen e pallatit 5- katësh në lagjen "11 janari" të qytetit të Gjirokastrës rreth një vit më parë.
Kanë qenë avokatët mbrojtës të 7 të pandehurve, përkatësisht Sotiraq Janora, president i firmës ndërtuese "Arti sh.p.k", Gjergji Meçe inxhinier ndërtimi në këtë firmë, Alfred Mamani, shef i urbanistikës në bashkinë e qytetit, Afërdita Papamihali, sekretare e KRRT-së në këtë institucion, si dhe dy ish-punonjësit e inspektoratit të ndërtimit, Leonard Mustafaraj e Petrit Maksuti, si dhe ish-shefi i këtij sektori, Admir Shehaj, të cilët kanë kërkuar nga trupi gjykues pushimin apo ndryshimin e akuzave të ngritura ndaj klientëve të tyre, duke i cilësuar ato si të pabaza.
Rrëzimi i veprës penale "shkatërrim i pronës me dashje" dhe ndryshim të akuzës "vrasje në rrethana të cilësuara" ka kërkuar pala mbrojtëse e Sotiraq Janorës, president i firmës ndërtuese "Arti shpk", për të cilin prokuroria kërkoi dënimin me 21 vjet heqje lirie.
Po kështu, pushim të akuzave edhe për 6 të pandehurit e tjerë në këtë çështje kanë qenë kërkesat drejtuar gjyqtarëve, pasi për palën mbrojtëse zhvillimi i këtij gjyqi nuk i ka provuar veprat penale të vendosura nga Prokuroria.
Ndërkaq, trupi gjykues ka hedhur poshtë kërkesën e avokatit mbrojtës të së akuzuarës Afërdita Papamihali për të thirrur si dëshmitar në këtë proces të kryetarit të bashkisë, Flamur Bime. Pasi ka dëgjuar palën mbrojtëse, trupi gjykues ka vendosur që vendimin ta japë në datën 10 nëntor, duke shënuar edhe mbylljen e procesit të nisur qysh në muajin prill të këtij viti.
Në seancën paraardhëse, kryeprokurori i Gjirokastrës, Alfred Saliu, ka kërkuar nga trupi gjykues deklarimin e të gjithë të pandehurve fajtorë për akuzat e ngritura nga organi i akuzës dhe dënimin e tyre.