Tropojë, dy vëllezër marrin peng taksistin dhe tentojnë ta vrasin
Xhevahir dhe Albert Sumaj, 24 dhe 17 vjeç, nga fshati Luzhë, janë arrestuar pas denoncimit të kryer
TROPOJË - Kanë kërkuar transportin me taksi nga Gjakova për në Tropojë, por më pas kanë marrë peng, duke e grabitur dhe duke tentuar të vrasin taksistin 23-vjeçar. Ngjarja ka ndodhur ditën e diel, teksa protagonistë janë dy vëllezër nga fshati Luzhë.
Taksisti nga Gjakova, Besnik Shaqir Hoti, i ka shpëtuar për mrekulli një ekzekutimi, ndërkohë që policia e Tropojës ka arrestuar autorët. Shefi i komisariatit të Tropojës, Hasan Hasanaj, ka bërë të ditur për "Shekulli"-n se në pranga janë vënë vëllezërit Xhevahir dhe Albert Sumaj, përkatësisht 24 dhe 17 vjeç, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë marrë peng duke i grabitur dhe automjetin taksistit dhe më pas kanë tentuar ta ekzekutojnë.
Policia e Tropojës ka zbuluar gjithashtu automjetin e grabitur "Opel Vectra" me targë 122 KS 561, në afërsi të fshatit Kam, ndërkohë që i ka dhënë ndihmën e nevojshme viktimës, i cili kishte mundur që t'u ikte rrëmbyesve duke u strehuar në një shtëpi në fshatin Pac të Tropojës.
Taksisti nga Gjakova i është dorëzuar në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Morinës përfaqësuesit të policisë së Kosovës, ndërkohë që automjeti është i bllokuar për veprime të mëtejshme në ngarkim të grabitësve nga prokuroria e rrethit gjyqësor Tropojë.
Ngjarja
Mbrëmjen e së dielës, ende pa u errësuar, dy vëllezërit Xhevahir dhe Albert Sumaj janë paraqitur pranë stacionit të taksive të stacionuara afër gjykatës së Gjakovës, ku kanë kërkuar taksi për në Tropojë. I gatshëm për t'u shërbyer ka qenë taksisti Besnik Hoti. Dy vëllezërit Sumaj i kanë thënë taksistit që donin të shkonin për në qytetin e Bajram Currit dhe për këtë destinacion kishin bërë edhe pazarin.
Por pasi kanë udhëtuar disa kilometra duke kaluar edhe kufirin në territorin e Shqipërisë, tek ura e Sopotit, ku ndan rruga për në Bajram Curri dhe Luzhë, dy vëllezërit kanë kërkuar nga taksisti që të kthente rrugën në drejtim të Luzhës duke i thënë se do ta paguanin.
Taksisti është bindur dhe ka vazhduar rrugën në drejtim të fshatit, por dy vëllezërit nuk janë ndaluar në fshat duke i thënë që të vazhdonte udhëtimin duke devijuar rrugën kryesore në një rrugë të papërshtatshme me pretendimin se atje e kishin shtepinë.
Por pasi kanë bërë rreth një kilometër, "pasagjerët" i kanë kërkuar taksistit që të ndalojë automjetin dhe e kanë urdhëruar që të dorëzojë paratë dhe të gjitha sendet që kishte me vete. Taksisti është detyruar të nxjerrë nga xhepi 25 eurot e vetme që kishte në xhep dhe telefonin celular. Më pas njëri nga vëllezërit i ka dhënë urdhër tjetrit: "Ekzekutoje!".
Në momentin që njëri prej vëllezërve po nxirrte pistoletën, taksisti ka mundur të dalë nga vetura dhe të largohet me vrap në drejtim të një pylli, ndërkohë që dy vëllezërit e kanë ndjekur atë nga pas, por pa mundur që ta kapin apo ta zbulojnë, pasi taksisti ka arritur të fshihej dhe më pas të largohej nëpër natë në drejtim të fshatit Paç, ku është strehuar në shtëpinë e një banori.
Arrestimi
Një telefonatë e banorit të fshatit Paç në orën 01:30 pas mesnate ka vënë në alarm policinë e këtij rrethi. Dhjetëra forca policore të drejtuara nga kreu i saj janë nisur në drejtim të vendit të ngjarjes. Sapo kanë mbërritur në fshatin Paç, blutë kanë marrë kontakte me taksistin nga Gjakova duke u informuar për ngjarjen, ndërkohë që janë vënë në ndjekje të autorëve.
Pas disa orë kërkimesh policia ka mundur të identifikojë autorët bashkë me automjetin që ishin fshehur në një përrua në afërsi të fshatit Kam të Tropojës. Ndërkohë në kërkim të taksistit është vënë edhe babai i tij, Shaqir Hoti.
Është hera e dytë që në rrethin e Tropojës taksistët bëhen viktima të pasagjerëve. Në shkurt të vitit kaluar mbeti i vdekur taksisti nga fshati Gri i Tropojës, Avni Sinani, 33 vjeç, i cili u godit për vdekje me mjete të forta për motive xhelozie nga vëllezërit Jetmir e Granit Hasanpapaj, ndërkohë që kufoma e tij u hodh në një shkëmb në brigjet e liqenit të Fierzës në afërsi të Kukësit.