Prishet fejesa e djalit, kërcënon motrën me armë
TIRANE- Grindet me të motrën për djalin që po ndahej me të fejuarën më pas e kërcënon me pistoletë. policia arreston me akuzën e armëmbajtjes pa leje, pensionisten 68- vjeçare ndërsa, blutë i sekuestruan një pistoletë me disa fishekë si dhe një thikë, në cilësinë e provave materiale.
Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në kombinat, kur Xhevrie Kozi, 68 vjeç nga Dibra banuese në lagjen Kombinat të Tiranës është grindur me të motrën.
Djali i Xhevries, sipas burimeve të policisë, disa kohë më parë ishte fejuar me një vajzë. Por lidhja e çiftit nuk ka shkuar mirë për arsye që ende nuk dihen, duke bërë që ata të shkonin drejt divorcit.
Ndërkaq, këmbëngulja e motrës së Xhevries ka qenë që ata të mos ndaheshin, por kjo këmbëngulje dhe ndërhyrja e së motrës në këtë histori ka bërë që mes dy familjeve të plasë një konflikt. Në grindje e sipër, dy motrat kanë fyer dhe ofenduar njëra tjetrën.
Ndërkaq Xhevria ka kërcënuar me thikë të motrën. Për grindjen është njoftuar edhe policia e komisariatit nr.6 e cila ka mbërritur në adresën e familjes së Xhevrie Kozit, ku edhe ishte konflikti.
Pas marrjes së deklarimeve të dëshmitarëve dhe të personave të përfshirë në konflikt, Xhevria është denoncuar nga e motra e cila e akuzonte atë për kanosje me armë.
Grupet e gatshme të komisariatit kanë kryer kontroll në banesën e familjes Kozi, ku është bllokuar një armë zjarri pistoletë "TT", me disa fishekë në një krëhër si dhe mjet i mprehtë thikë, që sipas hetuesve plotësonte kushtet e armës së ftohtë.
Kozi 68 vjeçare tashmë pensioniste, është, arrestuar nga blutë me akuzën e mbajtjes së armëve luftarake dhe të armëve të ftohta pa leje si dhe kanosjes me armë të ftohtë. Pas kryerjes së procedurave gruaja e moshuar është dërguar në ambientet e paraburgimit, në pritje të hetimit.