I shtyp kokën gruas me gurë, pastaj var veten
LIBRAZHD- Ngjarje tronditëse në një fshat të Librazhdit. Bashkëshorti i shtyp gruas kokën me gurë e më pas shkon e varet në pyllin afër fshatit. Makabriteti në familje ka ndodhur rreth orës 23.00 të një nate me parë, në vendin e quajtur Kodra e Çepit, në fshatin Vulçan. Sami Çepi 58 vjeç ka masakruar me gurë e mjete të forta rrethanore bashkëshorten e tij Behije Çepi 50 vjeçe, nënë e katër fëmijëve,e sikur të mos mjaftonte kjo, ka fyer kufomën duke e hedhur në përroin e fshatit. Fill pas kësaj ngjarjeje është larguar në drejtim të paditur për t’u gjendur të nesërmen rreth mesditës i varur në një dru në pyllin afër banesës së tij. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar ekspertët, policia dhe grupi hetimor. Sipas ekspertëve dhe grupit hetimor, e ndjera është vrarë me mjete të forta e gurë dhe ka ndërruar jetë për shkak të politraumës. Pas vrasjes, burri që kaloi një jetë të tërë me gruan, e merr kufomën dhe e hedh në përroin e fshatit. Nga hetimet paraprake rezulton se vrasja është kryer për motive xhelozie. Vrasja Librazhd, prindërit katër fëmijë të martuar. Bashkëshortët Çepi kishin 4 fëmijë. Vajzat e martuara dhe dy djem punojnë në Himarë, ndërsa vetë ata jetonin me njërin prej djemve edhe ai i martuar. Por ai ndodhej në Greqi. Sipas banorëve të zonës, Sami Çepi ka qenë zetorist në fshat. Ata shprehen se shpesh ai manifestonte shenja xhelozie, por në atë moshë që shkuan dhe me fëmijë të martuar një gjë e tillë nuk kishte më justifikim. Sipas banorëve të fshatit Vulçan, Sami Çepi e dhunonte sistematikisht prej kohësh bashkëshorten e tij. “ Ai ushtronte dhunë psikologjike ndaj gruas e nuk e linte të dilte përpara për asgjë”, thotë një banor i fshatit. Që kur ishte i ri ka qenë i tillë, por me kalimin e viteve çuditërisht, në vend që ta largonte huqin e tij të keq, atë të xhelozisë së sëmurë, u bë më ters. Në çdo vend dhe në çdo gjë nuk i ndahej gruas dhe gjithnjë i bënte presion. Edhe të afërm të familjes Çepi kanë konfirmuar të njëjtën gjë. Dje, kanë qenë të dy duke punuar në arën diku afër shtëpisë dhe ndoshta atje ka nisur dhe grindja fatale mes tyre.
Rastet
Precedentë të tillë gati janë të ngjashëm dhe janë mjaft të shprehura në zonën e Librazhdit. Në muajin shkurt të vitit të kaluar u zbulua serial killeri Haki Miska, i cili para 16 vjetësh kishte ekzekutuar për xhelozi bashkëshorten Mimoza Miska dhe e kishte varrosur diku pranë shtëpisë. Pas kësaj vepre penale autori e ka denoncuar të humbur ish-gruan dhe emri i saj ka figuruar në lista si e larguar nga banesa në drejtim të paditur. Në mënyrë të dhunshme ai kishte vrarë dhe ish-njerkun e tij dhe në bashkëpunim me nënën e fshehën këtë vrasje duke thënë se ai ra nga kumbulla e vdiq. Një vit më parë Haki Miska qëlloi për vdekje me sëpatë nënën e tij Dije Brugun. Në të njëjtën ditë ai tentoi të vrasë edhe të bijën Besiana Miska, ndërkohë dyshohet edhe për vrasjen e mësuesit të fshatit, Qamil Lluku. Më 30 dhjetor të vitit të kaluar Alfred Belba në bashkëpunim me nënën e tij Hatixhe Belba vrasin nusen Zamira Belba dhe tentojnë ta fshehin ngjarjen, duke e cilësuar si vdekje natyrale. Shkak ishte xhelozia e burrit. F.S.