E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapen dy kamionë me 100 kg marijuanë në pranga 6 persona

SHKRUAN: Aleks Kalemasi 16-02-2011 10:36

Zbulohet trafiku i drogës që kishte si destinacion tregun zviceran. Një operacion i nisur kohë më parë ka çuar në arrestimin e gjashtë personave njëri prej tyre maqedonas ndërsa të tjerët qenë kosovarë, madje disa prej tyre qenë me banim në Zvicër. Operacioni në fakt kishte kohë që kishte nisur dhe është shtrirë në disa qytete shqiptare, madje dhe në shtetin zviceran.

Kështu, sipas burimeve nga Ministria e Brendshme, bëhet e ditur se mbrëmjen e dy ditëve më parë nga Departamenti Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda, Drejtoritë e Policisë në Qarqet Durrës, Kukës, Tiranë, si dhe me autoritetet zvicerane, pas një hetimi të gjatë, u finalizua me sukses operacioni ndërkombëtar “Rruga e Vjetër”.

Si rezultat i këtij operacioni, në orën 21.00 në portin e Durrësit u gjet dhe u sekuestrua një sasi prej 110 kg lëndë narkotike e dyshuar marijuanë, e fshehur në një kamion me targa SK 751 UL dhe SK 858 TR, që drejtohej nga maqedonasi Goran Zhivkovikj.

Në bazë të hetimeve të kryera nga strukturat e mësipërme, kjo sasi lënde narkotike do të imbarkohej në tragetin e linjës Durrës-Bari me destinacion final Zvicrën. Në sajë të këtij operacioni u bë i mundur arrestimi në flagrancë i drejtuesit të mjetit, shtetasit

Goran Zhivkovikj, 38 vjeç, lindur dhe banues ne Shkup, Maqedoni. Ndërkohë u ekzekutuan urdhrat e ndalimit të Prokurorisë për Krimet e Rënda në ngarkim të shtetasve:

Bashkim Elshani, 35, lindur në Peqan, Kosovë, dhe banues në Zvicër; Burim Dervishaj, 30 vjeç, lindur dhe banues në Gllogjan, Kosovë; Flurim Elshani, 34 vjeç, lindur dhe banues në Peqan, Kosovë; Murat Osmanaj, 30 vjeç, lindur dhe banues në Kosovë dhe Aldo Morini, 54 vjeç, lindur dhe banues në Zvicër. Të arrestuarit akuzohen për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve”, ndërsa çështja do të ndiqet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda Tiranë, për veprime të mëtejshme proceduriale.

Por kjo nuk është sasia e parë e drogës së kapur në qytetin bregdetar. Tri ditë më parë një i ri nga Durrësi është vënë në pranga, pasi policia kishte zbuluar se ai po transportonte në një çantë një sasi të konsiderueshme lëndë narkotike, e cila dyshohet se është heroinë. Burime të policisë së Durrësit kanë bërë të ditur se Ervin Hoxha 21 vjeç është arrestuar mbrëmjen e së shtunës në hyrje të zonës së Plazhit, në lagjen 13. Ai ka pasur në një çantë një sasi prej 6 kg e 320 gram lëndë narkotike, e cila ishte e fshehur në 6 pako të mbështjella me natriban. Mendohet se droga kishte hyrë nga Kosova dhe kishte si destinacion final tregun italian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›