I vdes gruaja, infarkt burrit kur mëson lajmin
PUKE - Dy bashkëshortë në Fushë-Arrëz të Pukës vdesin në një ditë, duke lënë jetimë e pa asnjë përkrahje katër fëmijë. Mësohet se Mira Prenga ndërroi jetë të enjten e kaluar në spitalin e Tiranës pasi vuante nga një sëmundje e pashërueshme. Por lajmi për vdekjen e së shoqes ka qenë fatal për bashkëshortin e saj, Zef Prenga. Ky i fundit e përjetoi shumë keq humbjen e së shoqes. Sapo ai mësoi vdekjen e saj, pësoi infarkt, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Ngjarja shokoi banorët e qytezës së vogël, pasi familja Prenga ishte ndër më të varfrat e saj. Disa vite më parë ata jetonin në një fshat të thellë, në një banesë të rrënuar. Por kisha i fali për bamirësi një banesë në Fushë-Arrëz. Ndër dëshmitarët e kësaj ngjarjeje janë edhe fëmijët e viktimave. Gentjana, 15 vjeçe, Nikolini, 12 vjeç, Agetina, 9 vjeçe dhe një foshnjë kanë dhënë njëherazi alarmin kur panë babanë që ra në dysheme. Ndihma e komshinjve ka rezultuar e kotë, pasi Prenga kishte ndërruar jetë. Pas kësaj ngjarjeje u hap morti për burrë e grua. Mësohet se mësuesja e fëmijëve, Aishe Cufaj iu drejtua bizneseve dhe bashkisë duke kërkuar ndihmë për ceremoninë mortore. Ndërsa fëmijët e mbetur në mëshirë të fatit janë marrë nga dy misionarët e Kishës Shën Jozefi. Bashkëshortët Zef e Mira Prenga janë përcjellë pasditen e së premtes në varrezat e qytetit. Të afërmit e familjes i bëjnë apel pushtetit vendor dhe institucionet bamirëse, që të ndihmohen fëmijët jetimë në këtë prag dimri. Prindërit përveç kujtimeve dhe dhimbjes, nuk mundën t'u lënë atyre asnjë pasuri tjetër. Mira Prenga lëngonte prej disa kohësh në krevat. Ajo ishte shtruar kohët e fundit në spitalin e Pukës. Por mjekët e këtij rajoni, kur panë se gjendja e 40-vjeçares vetëm sa përkeqësohej, e dërguan për një trajtim më të specializuar në Tiranë. Por megjithë përpjekjet, nëna e katër fëmijëve nuk i bëri dot ballë sëmundjes, duke ndërruar jetë të enjten, e disa orë pas saj, edhe i shoqi. j.h